Qytetari i parë i Prishtinës, Shpend Ahmeti, në Tonight Ilva Tare, e vlerëson fitoren e tij si arritje për Vetëvendosjen aq edhe përgjegjësi ndaj qytetarëve për të justifikuar besimin e tyre me votë. Ahmeti premton ndryshim të qeverisjes dhe zhvillimit të Prishtinës, ndërsa deklaron se nuk do ketë asnjë kompromis me paligjshmërinë.
Nënkryetari i Vetëvendosjes ka shuar zërat edhe për një rivalitet me shefin e tij të partisë, duke e vlerësuar më tepër një stisje nga subjektet e tjera politike në Kosovë që vuajnë vetë nga këto probleme.
-Është peshë e madhe të mbash të gjithë këtë shpresë?
Ahmeti: Natyrisht, në të njëjtën kohë krahas gëzimit është dhe përgjegjësi. Festuam natën e fitores, por më pas filluam të mendojmë për përgjegjësitë që na presin, sytë janë të kthyera nga Prishtina nëse do kemi një ndryshim të qeverisjes. Kemi pasur një ekip të jashtëzakonshëm, 2000 vullnetarë dhe aktivistë të cilët kanë punuar shumë dhe besuar në fitore.
-Mënyra si u përcoll fitorja, eufori, pritshmëri të madhe, do ja dilni ta justifikoni?
Ahmeti: Prishtina ka shumë probleme si dhe Kosova. Është punuar në mënyrë të gabuar. Me pak politika ndryshe mund të përmirësohet. Ndryshimet që do i bëjmë, do i bëjmë me qytetarët, nuk është e lehtë por besoj se do ja dalim. Mendoj se do ikim nga politika klasike, klienteliste që është vërejtur në Kosovë, por dhe këtu në Shqipëri.
-Armand Shullaku kishte bërë një përshkrim për ju.Pati shumë reagime dhe komente tjera nga analistët që kjo ishte më tepër fitore juaja, sesa e Vetëvendosjes?
Ahmeti: Ishte kombinim i të gjithave. Vetëvendosja është sigla e ndershmërisë. Unë si Shpend Ahmeti nuk do të fitoja pa Vetëvendosjen dhe Vetëvendosja nuk do fitonte pa Shpend Ahmetin. Kemi marrë vota dhe nga subjekte të tjera politike. Votuesit klasikë tejkaluan vijat e tyre politike. Ne kemi dhënë 12 zotime, të cilat besoj se do të mund të arrihen.
-Sa keni ndryshuar ju që nga momenti që jeni bërë pjesë e Vetëvendosjes?
Ahmeti: Unë i mbetem besnik qëndrimeve të mia të qendrës së majtë, luftës për barazi dhe mirëqenie dhe Vetëvendosja e përfaqëson këto. Ne jemi të hapur për diskutime. Arsyeja pse kjo fushatë u duk e butë nga ne është se për herë të parë ne flasim për nivelin lokal. Ne duam që programi jonë të krahasohet me atë të subjekteve të tjera politike. Arsyeja pse spati rezultat në komunat e tjera është se ne marrim pjesë për herë të parë. Në Prishtinë ishte tjetër gjë, pasi unë kandidova si nënkryetar.
-Do jetë më e hapur Vetëvendosja ndaj SHBA, veçanërisht me Ambasadën Amerikane në Kosovë?
Ahmeti: Ka qenë më shumë një mbyllje e Ambasadës ndaj Vetëvendosjes. Ambasadorja pas fitores sonë tha se Shpendi është shkolluar në SHBA, por unë edhe para dy vitesh kisha të njëjtin shkollim.
-Ka dhe skeptikë ndaj fitores suaj, mendojnë se modeli juaj është i parakohshëm për Kosovën?
Ahmeti: Çdo qëndrim që unë kam marrë dhe politika që kam prezantuar është në të njëjtën kohë qëndrim i Vetëvendosjes. Unë nuk e shoh veten të ndarë nga Vetëvendosja. Ne kemi 12 deputetë në Kuvend që kanë ngritur nivelin e debatit. Jemi prezent në çdo kuvend komunal.
-Do ndaheni nga Albin Kurti?
Ahmeti: Jo. Nuk do ketë ndarje. Neve na bashkon koncepti ynë politik, jam po bashkëpunimit dhe jo kualicioneve. Do shtyjmë përpara këto programe. Ne me fitoren tonë e treguam se me një punë të sinqertë mund të bëjmë ndryshimin. Kemi dhe 9 muaj të tregojmë veten deri në zgjedhjet parlamentare. 9 muaj mjaftojnë që qytetarët të shohin ndryshime në qeverisje. Buxheti i Prishtinës është i vogël, por mjafton për të përmirësuar situatën.
-Ku ndryshoni me Albinin për mënyrën si qeveriset Kosova dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë?
Ahmeti: Ai është njeri kombëtar që lufton për kombin. Për ne qëllimi është i njëjtë dhe ai është zhvillimi i shtetit tonë. Ne kemi debate të jashtëzakonshme brenda Vetëvendosjes, por kur kemi qëndrime politike jemi solidarë. Subjektet tjera politike janë para çarjes, mundohen të trillojnë ndarje. Në Vetëvendosje ka vetëm gëzim për fitore, nuk ka xhelozi.
-Keni deklaruar se do shisni makinën Audi Q7 të Isa Mustafës?
Ahmeti: Po të shikoni buxhetet e komunave do shihni se makinat luksoze,darkat dhe drekat janë një pjesë e mirë e buxhetit. Nuk guxojmë ne të kemi këtë lloj luksi kur pjesa më e madhe e popullatës është zhytur në varfëri. Ne duam të përmirësojmë transportin publik, nuk ka nevojë për një makinë 70 mijë euro në komunën e Prishtinës. Unë mendoj se mundemi ta ndryshojmë këtë mentalitet, ne u kthyem komunën qytetarëve.
-A ju frymëzon puna e Edi Ramës si kryetar bashkie e Tiranës?
Ahmeti: Ne do marrim përvojat më të mira prej tij. Prishtina nuk ka lumë, por ka ca probleme që ngjasojnë me ato që kishte Lana para Edi Ramës. Nuk do bëjmë mrekullira, por do të shpëtojmë ato që kanë mbetur.
-Ndërtimet ilegale, do përdorni tritol?
Ahmeti: Në Kuvend është ligji për legalizimet që do jetë i zbatueshëm edhe për komunën tonë. Nuk ka asnjë kompromis për ndërtimet pa leje. Ne do zbatojmë ligjin ashtu siç na vjen dhe kjo vlen për të gjithë. Ata që janë ndërtues të mirë dhe duan të ndërtojnë do ti japin kahun zhvillimit të qytetit. Në komunë do kemi dhe një staf për zbardhjen e informacionit lidhur me ‘mafian’ e shumëpërfolur të ndërtimit.
-Do ta ruani terminologjinë komunë?
Ahmeti: Do ta ruajmë këtë emërtim, por na nevojitet një ligj i veçantë për Prishtinën.
-Financimet e Vetëvendosjes, deklaruat se deputetët financojnë me gjysmën e rrogës?
Ahmeti: Në Prishtinë kemi shpenzuar në dy raundet 60 mijë euro. Këto para nuk ishin as për reklamat, i shpenzuam për komisionerë dhe vëzhgues ditën e zgjedhjeve, për të mbrojtur votën. Në media kishim prezencë 5- fish më të vogël se partitë e tjera. Shkuam me një fushatë modeste por kjo ishte dhe një nga arsyet e suksesit. Kur janë dhe financimet kaq të vogla, donatorët nuk kërkojnë asgjë si këmbim përpos zhvillimit të vendit.
-Si do ta bëni zhvillimin e Prishtinës kur deklaroni se nuk do bëni koalicione, ju duhet vota për këshillat?
Ahmeti: Kryetari i komunës ka më shumë kompetenca sesa këtu. Por prapë ka nevojë, unë kam kërkuar bashkëpunim. Unë nuk i druhem bashkëpunimit dhe as ballafaqimit politik me asnjë prej këshilltarëve. Drejtorët komunalë nuk do jenë vetëm të Vetëvendosjes. Mua as më duhet një drejtor shkolle pse është i Vetëvendosjes, por nuk bën punën. Në komunë nuk do ketë punëtorë që janë nën hetime, nuk kemi çfarë bashkëpunojmë me ata njerëz.
-Çfarë do bëni me kontratat që ka nënshkruar paraardhësi juaj?
Ahmeti: Ne do kërkojmë auditimin, të jashtëligjshmet do të anulohen pa asnjë lloj problemi. Prishtina ka qenë e mbyllur përballë donacioneve. Ne do shohim të ngremë edhe filantropinë. Nuk do jetë problem financimi, nuk jemi shumë të pasur por do bëjmë shumë më shumë. Do zhvillojmë modelin e transparencës radikale.
