Moti


Kryeministri i Kosovës dhe ai i Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq janë takuar sot në Bruksel për një rreth të ri bisedimesh mbi çështjen e gjyqësorit, por marrëveshje nuk ka. Edhe ky rreth, si rëndom, është ndërmjetësuar nga shefja e politikës së jashtme të BE-së, Catherine Ashton, raporton Rel.

Pas takimit, Thaçi e ka cilësuar takimin si konstruktiv.

“Ne kishim një takim konstruktiv. Është pajtueshmëri e plotë se duhet të jetë një sistem unik i drejtësisë, ndërsa marrëveshje nuk ka”, ka thënë Thaçi, duke paralajmëruar se tani u mbetet ekipeve teknike të vazhdojnë punën e tyre.

Në takimin e javës së kaluar, palët kanë arritur përparim për çështjen e policisë, përkatësisht integrimit të strukturave jolegale në Policinë e Kosovës.

Bashkimi Evropian e pati cilësuar si vendimtar këtë takim, sepse nëse në të arrihet përparim, sidomos sa i përket çështjes së gjykatave në veri, atëherë baronesha Ashton do të përpilojë një raport për shtetet anëtare të BE-së, për të vlerësuar suksesin në zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit.

Shtetet anëtare të BE-së janë duke u konsultuar edhe për formulimin e kornizës negociuese, e cila duhet të miratohet para se të nisin negociatat me Serbinë.

Sipas burimeve diplomatike, pritet që në këtë kornizë edhe një herë të nënvizohet se normalizimi i marrëdhënieve në mes të Serbisë dhe Kosovës do të mbetet kusht për Serbinë gjatë tërë procesit të negociatave.

Takimi i sotëm ishte i dyti që zhvillohet pas rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë, në të cilat për herë të parë kanë marrë pjesë qytetarët serbë të komunave veriore të vendit tonë.

 -----------------------------------------------------------------------------------------------------------------------
(E plotësuar) Në Bruksel ka filluar takimi i kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi me homologun e tij nga Serbia Ivica Daçiq nën ndërmjetësimin e Baroneshës Ketrin Eshton

Zëdhënësja e Eshton, Maja Koqijançiq ka thënë se qëllimi i këtij takimi është që të arrihen pajtueshmëri mes palëve, në sa më shumë tema të ngritura. Ky takim, është i një rëndësie të veçantë, posaqërisht për Serbinë, pasi do të jetë shumë më e qartë se kur do të mund të hapen bisedat mes BE-së dhe Serbisë.

Për të qenë pjesë e këtyre takimeve, në Bruksel ka udhëtuar edhe zëvendëskryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiq, ndryshe politikani më i fuqishëm momentalisht në fqinjin verior.

----------------------------------------------------------------------------------------------------------------
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Ivica Dacic, takohen sot bashkë me kryediplomatën e BE-së, Catherine Ashton me synim normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve në përputhje me standardet evropiane.
Ky do të jetë po ashtu takimi i fundit për këtë vit, por cilësohet nga më të rëndësishmit, sidomos për Serbinë, meqë nga rrjedha e tij do të varet vendimi që do të marrë Këshilli i Evropës rreth datës së fillimit të negociatave për asociimin e saj në Bashkimin Evropian.

Siç është paralajmëruar, temë e këtij takimi do të jetë gjyqësori, çështja e fundit e pazgjidhur, siç cilësohet në Bruksel– për zbatimin e Marrëveshjes mbi normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd, e arritur para gati tetë muajsh në Bruksel midis dy kryeministrave, transmeton Koha njoftimet.

Të enjten e shkuar midis Thaçit e Dacicit në Bruksel u harmonizuan pikëpamjet rreth policisë, por mbeti gjyqësori.

Zëdhënësja e Catherine Ashton, Maja Kocijancic, njoftoi se temë bisede në këtë takim do të jetë gjyqësori, ndërsa qëllimi është përparimi sa më i madh në prag të raportit të përfaqësueses së lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Catherine Ashton para Këshillit të Ministrave që vendosin për datën e fillimit të negociatave për asociimin e Serbisë në Bashkimin Evropian. “Do të bisedohet për të gjitha çështjet e hapura që lidhen me zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit, një ndër të cilat është gjyqësori”, është shprehur Kocijancic.

Ndërsa Prishtina është shprehur e vendosur që selia e gjykatës të jetë në pjesën jugore të Mitrovicës me degët në komunat në pjesën veriore, Beogradi kërkon që selia të jetë në veri dhe e veçantë nga gjykata në jug, siç e cilëson tash edhe Beogradi–të qytetit të ndarë.

Nga rrjedha e këtij takimi do të varet në fakt nëse hapen negociatat për asociimin e Serbisë në dhjetor, apo në janar, siç kërkojnë Britania e Madhe e Gjermania, duke e lidhur shtyrjen me marrëveshjen rreth gjyqësorit. /Koha/
 
Top