Pas Shkëlzen Gashit, Amir Abrashit, Emir Lenjanit, Migjen dhe Vullnet Bashës, Kombëtarja shqiptare pritet ta rekrutoj në radhët e veta edhe një tjetër futbollistë kosovar që ka luajtur me grupmoshat e Zvicrës.
Fjala është për mbrojtësin e Baselit, Taulant Xhakën. Ky i fundit është pajisur me pasaportë shqiptare. Ai është dekretuar me shtetësi shqiptare nga presidenti i Republikës, Bujar Nishani.
Taulanti, i cili është vëllai i madh i Granit Xhakës, gjatë karrierës ka luajtur me ekipet U-17,U-18,U-19,U-20 dhe U-21 të Zvicrës.
Por, duke e parë që nuk është në planet e trajnerit te përfaqësueses A, Ottmar Hitzfeld, Xhaka ka shprehur interesimin prej kohësh që t’i bashkohet Kombëtares shqiptare.
Kurse, Xhakës nuk do t’i mjaftoj ftesa nga selektori Gianni De Biasi që ta vesh fanellën kuqezi. 22 vjçari duhet të marr leje edhe nga FIFA e UEFA që të luaj me Shqipërinë, pasi më herët ka luajtur me grupmoshat e Zvicrës.
Këtij rregulli i janë nënshtruar edhe Shkëlzen Gashi, Amir Abrashi, Migjen dhe Vullnet Basha, pasi para se t’i bashkoheshin Kombëtares shqiptare, kishin luajtur me helvetikët./Rajonipress