Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi e ka vlerësuar si të qetë situatën në Kamenicë dhe për këtë meritat i janë adresuar qytetarëve të Kamenicës dhe institucioneve lokale si kontribuuesit kryesor të kësaj situate.
Kamenica mbetet vend i qetësisë i mirëkuptimit dhe bashkëpunimit ndëretnik e ndërfetar, vend i zbatimit të ligjit dhe zhvillimit të saj në infrastrukturë e ekonomi, ishte konstatimi i këtij takimi.
Mbledhjen e KKSB e ka udhëhequr nënkryetari i Komunës Fatmir Matoshi i cili të pranishmit i ka përshëndetur në emër të kryesuesit të KKSB-së, Kryetarit të Komunës Begzad Sinani. “Situata e sigurisë në Komunën e Kamenicës është e mirë, dhe të gjitha institucionet janë të përkushtuara për të mbajtur situatën kështu si e kemi.
Ditëve të fundit në Komunën tonë ka një numër të madh mërgimtarësh të cilët po i kalojnë pushimet në vendlindjen e tyre dhe për këtë arsye komuna ka shtuar stafin dhe ka zgjatur orarin e punës në sektorin e gjendjes civile i cili në këtë kohë po punon deri në orën 19.00. Poashtu janë organizuar aktivitete të ndryshme kulturore për nder të mërgimtarëve. Ndër projektet kryesore që janë implementuar ditëve të fundit është përfundimi i rrugës Koretin – Dajkoc, fillimi i punimeve në rrugën Hogosht – Lisockë – Kapi, ndërsa para dy ditësh kryetari Sinani ka nënshkruar marrëveshjen me Ministrinë e Infrastrukturës për asfaltimin e rrugës Topanicë – Bllatë – Dajkoc” t.
Ai ka falënderuar të gjithë të angazhuarit në tejkalimin e situatës pas vërshimeve, në veçanti bashkëpunimin me Policinë e Kosovës dhe këshillat lokale.
Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi, në këtë takim ka aprovuar pa asnjë votë kundër planin e punës për pjesën e mbetur të këtij viti i cili përbëhet nga 17 pika.
Ky plan është plotësuar edhe me propozime të tjera që kishin të bëjnë me çështjen e qenëve endacakë, zbatimit të rregullores për të drejtat e fëmijëve dhe tema tjera të propozuara.
Nga një raport të aktiviteteve të tyre në këtë takim e kanë paraqitur komandanti i Stacionit Policor në Kamenicë, kapiten Nazif Hajrizi, përfaqësuesi i FSK-së, major Isak Demiri, përfaqësuesit e bashkësive fetare Milaim Behluli e Dragisa Jeremic, drejtori i Arsimit Agim Shkodra dhe anëtar të tjerë të KKSB-së.
Kamenica mbetet vend i qetësisë i mirëkuptimit dhe bashkëpunimit ndëretnik e ndërfetar, vend i zbatimit të ligjit dhe zhvillimit të saj në infrastrukturë e ekonomi, ishte konstatimi i këtij takimi./rajonipress/