Moti

Njësit e Doganës së Kosovës gjatë ditës së djeshme kanë realizuar një aksion për bastisjen e një lokacioni në qytetin e Pejës, me ç’rast ka konfiskuar barna të kontrabandë me vlerë mbi 200 mijë euro.

Dogana e Kosovës, ka njoftuar se një kompani, e cila kishte selinë në ish deponë farmaceutike të Spitalit Regjional të Pejës ishte e dyshuar për kontrabandë.

“Gjatë aksionit të përbashkët me Policinë e Kosovës,është gjetur një sasi e konsiderueshme e barnave (836 emërtime apo lloje të ndryshme) me vlerë të përafërt mbi 200.000 euro.

Gjatë bastisjes janë hasur në dy bunkerë (hapësirë e kamufluar) brenda depos ku në njërin nuk është gjetur asgjë, ndërsa në bunkerin e dytë kemi hasur sasi të konsiderueshme të barnave të kontrabanduara.

Llojet e barnave janë nga më të ndryshme kryesisht prodhime greke. Gjithashtu njësit e Doganës kanë hasur në një armë të tipit AK 47-Kallashnikov me 23 fishekë kalibri 7.62x39 mm. Gjatë bastisjes njësit e doganës u asistuan edhe nga Policia e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Dogana ka iniciuar hetimet lidhur me formën e kontrabadimit të këtyre barnave dhe njëkohësisht fton qytetarët që të ofrojnë informata në mënyrë që të ndihmojnë në luftimin e kontrabandës dhe korrupsionit përmes numrave pa pagesë në 0800 50 095

 
Top