Sot ka filluar mësimi për të gjitha shkollat në Komunën e Kamenicës. Zyrtarët komunal kanë vizituar pothuajse të gjitha shkollat fillore e të mesme në Komunën tonë. Drejtori i Arsimit Agim Shkodra, Nënkryetari Fatmir Matoshi e disa zyrtarë të tjerë vizituan fillimisht shkollën fillore “Dëshmorët e Kombit” në lagjen Malësia ku takuan drejtorin e kësaj shkolle Nexhat Rexhepin për të parë se si po shkon procesi mësimor në ditën e parë të fillimit të vitit të ri shkollor 2014-2015.
Ata vizituan edhe shkollën e mesme, Gjimnazi “Ismail Qemali”, Shkollen teknike “Andrea Durrsaku”, po ashtu vizituan shkollën fillore e të mesme të minoritetit serb, shkollën fillore e të mesme ne Roganë, Topanicë, Koretin etj. Drejtori i Drejtorisë për Arsim Agim Shkodra tha se në këtë vit shkollor janë 6974 nxënës, ku prej tyre 420-430 janë regjistruar nxënës të klasës së pare, 470 janë maturant.
Në përgjithësi mësimdhënësit janë sistemuar në të gjitha shkollat fillore e të mesme, nuk ka mësimdhënës që është i kualifikuar dhe ka mbetur pa orë mësimore, gjegjësisht pa punë. Edhe pse pas eliminimit të klasës së 13 nga Ministria e Arsimit është menduar se disa mësimdhënës do të mbeten pa punë, mirëpo nga një rishikim i orëve mësimore dhe koordinim me kryetarin e komunës Begzad Sinani, është vendosur që asnjë mësimdhënës të mos mbetet pa punë, gjë që edhe ka ndodhur. Ne ju urojmë shëndet, mirëqenie dhe mësim sa më të mirë të gjithëve nxënësve të të gjitha shkollave në komunën tonë. Urojmë që ky vit të jetë i mbarë e i suksesshëm për arsimin në Komunën tonë