Nga: Kohanet
Nëntë muaj pasi rreshterja 32-vjeçe, Heidi Ruh, vdiq në Kampin Bondsteel në Kosovë, Komanda e Ushtrisë Amerikane për Hetime Kriminale (CID) ka dalë me njoftimin zyrtar se vdekja e saj ka qenë vetëvrasje.
Ruh vdiq më 9 maj, 2014, “në një incident që nuk ka lidhje me konflikt të armatosur”, patën thënë zyrtarët në kohën kur ishte lajmëruar për vdekjen e saj, duke thënë se shkaku i saktë i vdekjes është nën hetim.
Hetimi ushtarak ka përfunduar më 20 janar të këtij viti.
“Bazuar në hetimin e plotë, ku përfshihen vlerësimet e dëshmive, ekzaminimi i vendit të ngjarjes, intervistat dhe autopsia finale e raportet toksikologjike të kryera nga Ekzamineri Mjekësor i Forcave të Armatosura, si në mendimin ligjor, hetimi ynë ka ardhur në përfundim se vdekja e rreshteres Ruh është si pasojë e vetëvrasjes dhe shkaktari i vdekjes ka qenë një lëndim me armë zjarri në zonën e brendshme të gojës”, ka thënë zëdhënësi i CID, Christopher Grey, raporton Koha.net.
E ndjera, rreshterja Heidi L. Ruh nga Barrington, Illinois, ishte e caktuar në Grupin Shumëkombësh të Betejës-Lindje të Forcës në Kosovë.
Kur u pyet pse hetimi për vdekjen e Ruh zgjati më shumë se tetë muaj, Grey tha: “Agjentët Specialë të CID-së i hyjnë shumë thellë rasteve për të trajtuar dhe procesuar të gjitha hetimet e vdekjeve me kohë dhe i kushtojnë shumë rëndësi detajeve për të zbuluar me saktësi se çfarë ka ndodhur…
Edhe në rastet kur vendi i krimit është krejtësisht i qartë se është kryer vetëvrasje, CID do ta listojë vdekjen si të papërcaktuar dhe do të kryejë ‘hetim për vrasje’, pasi që hetimet e mëvonshme mund të sjellin dëshmi të kundërta”.
Rreshterja 32 vjeçe ka lënë prapa vetes dy fëmijë, si dhe prindërit e saj.(Kohanet)