Bajram Kosumi zgjidhet rektor i Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka”
Profesori i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Bajram Kosumi është zgjedhur Rektor i Universitetit Publik të Gjilanit.
Kosumi ka qenë kandidati më i përgatitur në garën për të udhëhequr këtë universitet.
Në garë kanë qenë: Naim Syla, Januz Dervodelli e Skender Muji, raporton Indeksonline.
Bajram Kosumi është profesor i asocuar në Universitetin e Prishtinës. Ka qenë njëri prej udhëheqësve kryesor të demonstratave kundër regjimit të Jugosllavisë. Ka mbajtur 10 vjet burg për shkak të aktiviteteve në vitet 80’ta. Ka qenë pjesëmarrës në Konferencën e Rambujes dhe pasluftës ka mbajtur për një vit edhe pozitën e Kryeministrit. Prej vitit 1993 deri në vitin 2001 ka qenë gazetar, redaktor e komlumnistë në revistën Zëri.
Kosumi ka punime shkencore në fushën e gazetarisë dhe letërsisë. Së fundmi, ka mbajtur pozitën e Shefit të Degës së Gazetarisë. Ka të publikuara libra që lidhen me fushën e gazetarisë dhe letërsisë. Ka botuar librin e parë në shqip për ndarjen e zhanreve në gazetari me titullin “Tipologji dhe zhanër”.
Titujt e librave tjerë të Kosumit janë: “Koncept për subpolitikën”; “Fjalor i Barbarëve”,”Koncept për mendimin e ri politik”, “Lirika e Fishtës”, “Një vit vendimtar”, “Letërsia nga burgu”, “Fishta dhe tradita letrare shqiptare”