Moti

OJQ “Fortesa” reagon ndaj vendimit të komisionit komunal për ndarjen e banesave sociale-kolektive në Kamenicë. Kjo organizatë vlerëson se Komuna ka abuzuar dhe është tallur me ndjenjat e familjeve me gjendje të rëndë ekonomike-sociale.

“Është skandaloze dhe për keqardhje kur sheh që në listën e përfituesve të banesave gjenden zyrtarë komunalë dhe pjesëtarë të FSK-së. Nuk janë përzgjedhur rastet e duhura dhe nuk janë respektuar kriteret e konkursit. Iu janë dhënë banesa familjeve që kanë dy të punësuar dhe patundshmëri”, ka thënë përfaqësuesi i kësaj organizate, Amir Jakupi.

Sipas tij, ka 3 vjet që institucionet e Kamenicës e zvarrisin këtë proces, duke rrejt dhe mashtruar njerëzit për përfitime politike. “Si Shaip Surdulli, ashtu edhe Begzad Sinani e kanë përdorur këtë banesë për qëllime elektorale, duke luajtur në këtë mënyrë me ndjenjat e skamnorëve dhe të pastrehëve”, është shprehur më tej Jakupi.

Përfaqësuesi i “Fortesës” ka kërkuar që të rishikohet ky vendim. “Në Kamenicë çdo gjë është politizuar. Me këtë vendim, nuk është bërë zgjidhje, veçse është krijuar pakënaqësi dhe irritim. Andaj kërkojmë që vendimi të rishikohet”, është shprehur Jakupi
 
Top