Pikërisht në këtë datë të qershorit të 99-tës, forcat e UÇK-së, marshuan në qytetin e Kamenicës dhe u vendosën në konviktin e nxënësve. Kështu kishte marr fund sundimi diskriminues shekullor serbë dhe dekada më e rëndë e këtij populli në mbarim të shekullit kaluar.
Për këtë ditë të shënuar Drejtoria për Kulturë,Rini dhe Sport, në Patronatin e kryetarit të Komunës Begzad Sinani, kishte përgatitur një program festiv.
Si zakonisht së pari u nderuan ata që kishin kontribuar më së shumti për lirinë e sotme –dëshmorët e kombit. Prandaj kryetari i Komunës dhe strukturat komunale i bënë homazhe varrezave të dëshmorëve dhe u përshëndetën me familjet e tyre.
Për këtë ditë kryesuesi kuvendi komunal kishte ftuar një seancë solemne. Megjithëse shumica e këshilltarëve nuk ishte e pranishme seanca u mbajt, ku me fjalë rasti para të pranishmëve u paraqit kryesuesi Bajram Dërmaku dhe kryetari Sinani.” Në këtë ditë të lavdishme krahas festës kujtojmë dhe i përulemi me pietet gjithë atyre që punuan kontribuuan dhe dhanë jetën për liri. Populli i Kosovës deri te liria dhe pavarësia kaloi në etapa sa të vështira aq edhe të lavdishme,shumë familje jetojnë pa të dashurit e tyre dhembjet e tyre nuk kanë pushuar e as do të pushojnë” u shpreh Dërmaku .
Ndërsa, kryetari Sinani në fjalën e tij tha “ 18 qershori i vitit 1999, ishte dita kur qytetarët e komunës sonë përfundimisht frymuan lirshëm nga dhuna dhe agresioni pushtues serbë, ishte dita kur qytetarët e pas përpjekjeve shekullore e realizuan aspiratën nacionale për liri dhe demokraci.
Të pranishmit patën rastin ta shohin edhe foto ekspozitën e nxënëses së klasë IX, R. Morina nga Topanica,e cila ishte një befasi, ajo i mahniti artdashësit e fotografisë artistike ,me temat e paraqitura dhe me qasjen e saj për to. Programi artistik vazhdoi me programet e shoqërive kulturo artistike “ Molla Kuqe” dhe “Albana”.