Moti

Gjatë 42 orëve të fundit në Qendrën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kanë kërkuar ndihmë gjithsej 22 persona, prej të cilëve një person ka humbur jetën në një aksident komunikacioni në fshatin Sllatinë, ndërsa, të tjerë janë lënduar nga përdorimi i mjeteve piroteknike, gjuajtja me armë dhe përdorimi i mjeteve të mprehta (thikave) gjatë natës së ndërrimit të motmoteve.

Specialisti i mjekësisë emergjente-reanimatori, Avdush Bajgora, për KosovaPress bëri të ditur se një numër i madh i pacientëve të cilët kanë kërkuar ndihmë kanë qenë me lëndime të ekstremiteteve. Disa prej tyre, sipas tij, kanë pësuar edhe amputimin apo këputjen e gishtërinjve, ndërsa, një pacient fatkeqësisht ka humbur syrin.

“Mund të them se nata e mbrëmshme e ndërrimit të motmoteve për Qendrën Emergjente ka qenë jashtëzakonisht e stërngarkuar. Gjithsej, brenda periudhës prej 42 orëve në Qendrën Emergjente kanë kërkuar ndihmë gjithsej më tepër se 22 persona të cilët kanë pasur fatkeqësi në trafik nga të cilët një ka humbur jetën. Gjithashtu, kemi pasur edhe mjaft të lënduar si rezultat i pakujdesisë të përdorimit të mjeteve piroteknike, ku një numër i madh i pacientëve të cilët kanë kërkuar ndihmë kanë qenë me lëndime të ekstremiteteve, disa prej tyre kanë pësuar edhe amputimin apo këputjen e gishtërinjve, ndërsa, një pacient fatkeqësisht ka humbur syrin”, tha ai.

Po ashtu, ai bëri të ditur se në mesin e pacientëve të cilët kanë kërkuar ndihmë kanë qenë edhe dy raste të cilët janë lënduar me armë zjarri, kurse, me mjete të ftohta tri raste.

“Në mesin e pacientëve të cilët kanë kërkuar ndihmë ka pasur pacientë të cilët janë lënduar me armë të zjarrit gjithsej kanë qenë dy, ndërsa me mjete të ftohta, thikë ka pasur gjithsej 3 pacientë”, tha ai.

Bajgora tha se disa nga të lënduarit janë liruar për në shtëpi, ndërsa tek disa persona të tjerë po vazhdon trajtimi në QKUK. 

 
Top