Ballafaqimi i parë publik në mes të dy kandidatëve të cilët kanë hyrë në garën e balotazhit për të parin e kryeqytetit, është zhvilluar në Radio Televizionin e Kosovës (RTK). Debati në mes kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), për kryetar të Prishtinës, Isa Mustafa dhe kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Shpend Ahmeti, ka kaluar në një frymë të akuzave nga Ahmeti dhe lavdatave për qeverisje të suksesshme nga ana e Mustafës.
Në mesin e shumë problemeve dhe temave që janë trajtuar në debatin e sotëm kandidati i VV-së për Prishtinën, Shpend Ahmeti ka theksuar se problem për kryeqytetin paraqet mungesa e çerdheve publike, për shkak se në Prishtinë ka numër të madh të fëmijëve.
“Prishtina i ka vetëm 8 çerdhe publike, kurse në 6 vitet e fundit Komuna e Prishtinës nuk e ka hapur asnjë çerdhe. Shumë lagje në Prishtinë nuk ka çerdhe. Po diskriminohet femra shqiptare, sepse nënat po detyrohen që ta ndërprejnë marrëdhënien e punës për shkak se nuk kanë mundësi të kujdesen për fëmijët”, tha Ahmeti.
Mustafa e ka konsideruar cilësim të rëndë “të thuhet se është diskriminuar femra dhe nëna në Prishtinë.
“Janë 30 çerdhe të licencuara nga ministria e arsimit, mirëpo nuk mund të konstatoj se problemi është zgjidhur tërësisht. Shpresoj se vitet në vijim do të zgjidhet plotësisht ky problem”, ka theksuar Mustafa.
Ahmeti ka thënë se problemi i trafikut në Prishtinë nuk zgjidhet duke i zgjeruar rrugët, por sipas tij, “problemi i trafikut zgjidhet duke e përmirësuar transportin publik, i cili thuajse nuk është i përdorshëm”.
Mustafa ka theksuar se komuna e ka filluar fazën e parë ku është shpallur tenderi për blerjen e autobusëve të rinj, të cilët kanë kushtuar rreth 2 milionë euro. “Kemi zgjedhur një bord në kompaninë e trafikut urban”, ka shtuar ai.
Ahmeti ka potencuar se për ujin e pijshëm është folur shumë. “Thjesht qytetarët në çdo takim kanë thënë se problemi kryesor me të cilin ballafaqohen ata është uji i pijshëm”.
“Kur kemi folur me inxhinierët e ujit, kanë thënë se Prishtina prodhon 1400 litra ujë në sekondë. Për secilin qytetarë i bie t’i ketë 300 litra ujë në sekondë. Rreth 53 për qind e ujit që prodhohet nuk faturohet, që nuk ndodh në asnjë shtet një gjë e tillë”, ka thënë Ahmeti.
Kandidati i LDK-së, Isa Mustafa, ka deklaruar se çështja e ujit është trajtuar shumë, “gjendja e furnizimit me ujë në Prishtinë dihet se si është”.
“Ne kemi filluar një projekt për zgjidhjen e problemi të ujit. Është një projekt prej 60 milionë euro , i cili e rregullon këtë problematikë. Është bërë ndërrimi i një numri të madh të matësve të ujit, është bërë ndërrimi i pompave të ujit në Badovc dhe në Batllavë, pastaj është duke u bërë ndërtimi i një fabrike për prodhimin e ujit”, ka thënë Mustafa.
Kandidati i VV-së për Kryetar të Prishtinës e ka cilësuar Mustafa si fajtorin kryesor për zhvillimin kaotik urban.
“Ka ndërtesa në Prishtinë ku as zjarrfikësit nuk mund të hyjnë. Unë pyes se kush është përgjegjës për ndërtimet pa leje në Prishtinë. Çdo vit janë bërë nga 300 ndërtime pa leje, edhe pse Isa Mustafa ka premtuar se do t’i ndalojë qysh në vitin 2009”, ka theksuar Ahmeti.
Kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, ka theksuar se planifikimi urban në kryeqytet është kompletuar qysh prej ma herët nga Komuna e Prishtinës.
“Prishtina po ndërtohet, është kthyer në një kantier ndërtimi. Të gjithë dëshirojnë të vijnë të jetojnë ne Prishtinë”, ka pohuar Mustafa.