Policia e Gjilanit të premten e ka arrestuar kirurgun Ilaz Poroshtica, mjek në spitalin rajonal të Gjilanit. Lajmin e ka konfirmuar Jetish Maloku.
Kirurgu dyshohet për mjekim të pandërgjegjshëm.
Një pacient ka bërë ankesë në polici për mjekim të pandërgjegjshëm dhe kjo deklaratë i ka mjaftuar prokurorisë për të filluar hetimet kundër kirurgut Ilaz Porsohtica, mjek specialist në Spitalin Rajonal të Gjilanit.
Kryeprokurori Jetish Maloku e ka konfirmuar arrestimin e kirurgut dhe tha se tashmë me vendim të prokurorit të rastit Arben Ismajli, kirurgut i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.
Maloku tha se sipas kallëzimit penal që e ka përgatitur policia kirurgu dyshohet se për më shumë se një muaj e ka harruar fashën në trupin e pacientit të dëmtuar.
Arrestimi i kirurgut Poroshtica i ka befasuar stafin dhe kolegët e tij pasiqë Ilaz Poroshtica njihet si një kirurg më përvojë dhe karrierë të mirë profesionale.
Ai ka qenë ndër kuadrot e para në spitalin e Gjilanit i cili ka dhënë kontribut të pamohueshëm në zhvillimin e kirurgjisë në Spitalin e Gjilanit. Por hetimet e mëtutjeshme mund të tregojnë për përgjegjësin që ka mundur të ketë Poroshtica në rastin konkret.