Selver Lenjani përfaqësues i fshatit Karaqevë thotë se viti 2013 ishte i rëndë për Karaqevën. Edhe pse e kemi sensibilizuar tej mase problemin e vijës kufitare, ky kontest kufitarë po mbetet sërish peng për vitin 2014. Zahiraj tashmë është braktisur dhe ka mbetur vetëm një familje atje.
Problemi i vijës kufitare me Serbinë për dy fshatrat kufitare Karaqevën (Kamenicë) dhe Zahirajt (Gjilan) , vazhdon të mbetet një problem i pazgjidhur dhe me situata të ndryshme të pasigurisë që ka reflektuar përgjatë vitit 2013.
Derisa Karaqeva po lufton me të gjitha mjetet institucionale për ta zgjidhur këtë problem, Zahirajt tashmë kanë humbur shpresat sepse atje ka mbetur vetëm një familje.
Selver Lenjani i cili me të drejtë mund të quhet si heroi i vitit 2013, nuk është ndalur asnjëherë që problemi i Karaqevës të sensibilizohet dejtë.”Unë dhe banorët e Karaqevës nuk jemi ndalur asnjëherë së vepruari sepse e drejta është në anën tonë. Toka e Kosovës do të jetë e jona dhe nuk do t`i falet Serbisë me asnjë çmim” tha Lenjani.
Lenjani tha për rajonipress se ende nuk e ka të qartë heshtjen e njerëzve kryesor të shtetit duke filluar nga presidentja, kryeministri e kryeparlamentari. “Unë e kam thënë edhe më herët se Karaqeva nuk është problem lokal, siç po mendojnë disa në kabinetet e Prishtinës. Këtu bëhet fjalë për qindra hektar tokë që i është gllabëruar padrejtësisht Kosovës” tha Lenjani.
“Asnjëherë nuk kam arritur ta kuptojë heshtjen e institucioneve qendrore karshi këtij shqetësimi të madh që kanë shfaqur me qindra herë banorët e rrezikuar dhe të frikësuar nga tytat e automatikëve të ushtrisë e xhandarmërisë serbe. Ne kemi jetuar nën ngjyrat e serbëve të maskuar që hynin natë e ditë në Kosovë dhe maltretonin banorët” sqaron Lenjani.
Lenjani mendon se viti 2013 ka qen vit i rëndë për Karaqevën dhe po hyhet në vitin 2014 sërish me të njëjtat probleme e telashe. “Ishim në luftë të përditshme me xhandarmërinë serbe dhe nuk u dorëzuam përballë saj. Provokimet e vazhdueshme që ajo bënë fusin pasiguri tek banorët” mendon Lenjani.
Situata ndërkaq duket krejt ndryshe në lagjen e Zahirajve. Rexhep Tahiri thotë se është betuar që mos ta braktisë fshatin, por duke parë injorancën e liderëve politikë, ai tashmë është kthyer në Gjilan me tërë familjen
Tahiri thotë se Zahirajt janë një vend i pasur me xehe dhe minerale dhe Serbia nuk dëshiron ta lëshojë për asnjë çmim, përderisa institucionet kosovare po shtyhen se kush po bëhet kampion i hajnisë. “Kjo vërtet është për tu shqetësuar sepse pa Zahirajn vija administrative e Kosovës pëson ndryshime radikale”shprehet ai.
Lagja e Zahirajve para luftës ka pasur 10 shtëpi, kurse tani jetojnë vetëm pesë familje. Problemin kryesor ata e kanë se rreth 150 hektar tokë u ka mbetur përgjithmonë në pjesën e Serbisë, kurse shtëpitë e tyre ende figurojnë në hartat e KFOR-it dhe hartat serbe si pjesë të Preshevës. /rajonipress/