Kosova do të pavarësohet nga sistemi bankar i Serbisë nga e hëna, kur do të filloj të zbatohet SWIFT kodi i Kosovës për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe për bankat komerciale që veprojnë në vend.
Me këtë Kosova përveç shumë tjerash që përfiton, ka më shumë mundësi t’i hetoj në mënyrë më të rreptë të gjitha trasnaksionet, e kështu rritet efikasiteti në parandalimin e shpëlarjes së parasë dhe financimit të terrorizimit.
Zyrtarë të BQK-së bëjnë të ditur se përveçse mundëson lehtësi për klientët, mundëson edhe luftimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit. Konsiderohet se sistemi bankar del nga izolimi dhe bankat i bënë konkurrente në tregun global. Madje, ulë edhe koston e transfereve bankare.
Njohësit e çështjeve ekonomike në vend, kanë thënë për KosovaPress se me këtë kod Kosova nuk humb asgjë, ka vetëm beneficione.
Kurse, Guvernatori i BQK-së, Bedri Hamza thotë se do ndikojë edhe në uljen e kamatës së kredive.
“Janë duke u eliminuar edhe disa pengesa që bankat i kanë konsideruar që janë një nga arsyet që normat e kamatave të jenë në këtë nivel. Një prej tyre ka qenë SWIFT kodi, që siç jeni të informuar Kosovës iu ka caktuar një kod shtetëror", thotë Hamza.
Në anën tjetër, njohësit e këtyre çështjeve thonë se ka shumë beneficione por nuk besojnë që do të mund të ndikojë edhe në uljen e kamatave të kredive.
Visar Azemi nga KOSID thotë se në këtë rast nuk sheh kurrfarë humbjesh që Kosova mund të këtë nga kjo, madje sipas tij, Kosova do të pavarësohet nga sistemi bankar i Serbisë.
“Pikë së pari, Kosova do të pavarësohet nga sistemi financiar bankar i Serbisë dhe do të ketë SWIFT kodin e saj. Rrjedhimisht, beneficionet që ka marrë Serbia nga transferet ndërkombëtare, si ndërmjetësuese e këtij procesi, tani ato Kosova do të këtë mundësi t'i përfitoj për vete”, thotë ai.
Azemi shpjegon se çdo aktivitet transakcionar ndërkombëtar tani do të kontrollohet drejtpërdrejtë nga Kosova dhe në këtë rast, transakcionet dhe aktivitetet e dyshimta Kosova ka mundësi t’i hetoj në mënyrë më të rreptë, duke mos pas ndërhyrjen e ndonjë pale të tretë, në këtë rast të Serbisë.
“Andaj, kjo është një hap drejt shkëputjes përfundimtare nga sistemi financiar i Serbisë, që në këtë rast është edhe përfitim politik i Kosovës drejt njohjes së sistemit financiar edhe ndërkombëtarisht. Sa i përket uljes së kamatave të kredive, sëift kodi nuk ndikon në këtë drejtim”, thotë ai.
Edhe Ibrahim Rexhepi e konsideron si moment shumë të rëndësishëm marrjen e SWIFT kodit, meqenëse Kosova, sipas tij, fiton legjitimitetin-adresën në qarkullimin ndërkombëtar të parasë dhe për marrëdhëniet ndërmjet bankave vendore, me ato të jashtmet.
“Kjo do të thotë se krijohet siguria dhe mundësia e përcjelljes dhe e kontrollimit të të gjitha pagesave, çka do të thotë se mund të rritet efikasiteti në parandalimin e shpëlarjes së parasë dhe financimit të terrorizimit. Padyshim se efekti më i madh edhe në rrafshin ekonomik, është që krijohet një raport i barabartë me subjektet ekonomike e financiare të botës. Por, nga aspekti politik, mund të thuhet se ky fakt e bënë Kosovën edhe më të qëndrueshme në rrafshin ndërkombëtare dhe është një shenjë identifikuese në tregun global”, thotë Rexhepi.
Ai ndikon në uljen e kostos së transfereve bankare nga një vend në vend tjetër. Mirëpo, ajo çka është më e rëndësishme, ai ndikon edhe në shkurtimin e kohës së transaksioneve financiare” , vlerëson Gashi.
Në anën tjetër, Shoqata e Bankave të Kosovës bënë të ditur për fillimin e këtij kodi dhe thotë se zbatimi i tij nga bankat komerciale, do t’u mundësojë lehtësi diasporës shqiptare dhe qytetarëve rezident të Kosovës, pasi që tani transferet dhe transaksionet tjera ndërkombëtare do të bëhen më lehtë, ngase bankat komerciale do të jenë të pajisura me SWIFT - kod të Kosovës.
SWIFT është shkurtesë e Shoqatës për Telekomunikim Financiar Ndërbankar Mbarbotëror, e cila cakton kod të veçantë shtetëror për t’u përdorur në lidhje me identifikimin e institucioneve financiare. Shoqata ka selinë në Bruksel, ndërsa zyret i ka në mbarë botën.
Kodi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) do të jetë CBRKXKPR, ndërkaq bankat komerciale do të kenë kode individuale.
Marrja e kodit lehtëson qarkullimin e parasë dhe iu mundëson bankave vendore që të mos zhvillojnë raporte me bankat e jashtme në mënyrë të ndërsjellët, përkatësisht duke shfrytëzuar kode të huaja. Me këtë rritet efikasiteti i pagesave, por zvogëlohet edhe kostoja e shërbimeve./Express
