Zgjedhjet lokale në Kosovë përveç që kanë bërë shumë ndryshime në qeverisjen komunale, kanë shpalosur edhe një veçanti tjetër, 170 kandidatë për asambletë komunale nuk kanë marrë as edhe një votë të vetme, e që i bie se nuk kanë votuar për vete, por votën ia kanë dhen ndonjë kandidati tjetër. Ndërsa 185 të tjerë si duket nuk i ka votuar askush tjetër, prandaj e kanë vetëm nga një votë, votën e tyre.
Megjithëse shqiptarët karakterizohen për familje të mëdha, me sa duket kjo nuk iu ka kryer punë rreth 170 kandidatëve tjerë të cilët nuk kanë arritur të marrin më shumë se dhjetë vota, shkruan Zeri.
Partitë politike nuk arrijnë të japin sqarime se si ka mundësi që kandidatët e tyre të mos kenë asnjë votë, pasi të paktën vetën kanë mundur ta votojnë.
Zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ernest Luma ka thënë se kjo nuk ka shumë rëndësi, sipas tij, e rëndësishëm është suksesi i partisë. “Nuk ka shumë rëndësi kjo, nuk bëhet fjalë vetëm për kandidatët e Aleancës, janë raste nga të gjitha partitë politike”, ka deklaruar Luma. /Zeri/
