Rexhep Selimi dhe Florin Krasniqi nuk do të jenë pjesë e qeverisjes në komunën e Prishtinës. Selimi dhe Krasniqi janë dy emrat të cilët janë apostrofuar në opinion si udhëheqësit e dy sektorëve më të ndjeshëm të nomenklaturës së re qeverisëse, inspektoratit dhe kadastrës.
Mirëpo vetë kryetari i ri i Prishtinës, Shpend Ahmeti, në deklaratën për “Zërin” ka mohuar se dy figurat më me ndikim në “Vetëvendosje” të jenë dy drejtorët e departamenteve të komunës.
Sipas Ahmetit, Selimi dhe Krasniqi janë deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, dhe nuk do të jenë pjesë e qeverisjes në Prishtinë. E në anën tjetër Ahmeti ka paralajmëruar se do të bëhen reforma në strukturën menaxhuese të komunës.
“Strukturimi i departamenteve bëhet në bazë të Statutit të Komunës. Ndryshimin e Statutit e bën Kuvendi Komunal. Ne do ta bëjmë planin konkret për reformim dhe do ta nxjerrim para asamblistëve”, ka thënë ai, duke bërë të ditur kështu se do të ketë reformim të pozitave udhëheqëse në Prishtinë.
Kryetari i zgjedhur i Prishtinës, Ahmeti, ka ripërsëritur se nuk do të ketë koalicione me askënd për të qeverisur Prishtinën.
“Ne kemi thënë se nuk do të ketë koalicione, por jemi të hapur për bashkëpunim me këshilltarët e Kuvendit Komunal pa marrë parasysh se prej cilit subjekt vijnë”, ka thënë ai.
Ndonëse nuk ka bërë të ditur emrat e drejtorëve të departamenteve me arsyetimin se ende nuk janë gati për këtë. “Ekipin qeverisës do ta prezantojmë në një konferencë të posaçme për media kur të jemi gati”.
Drejtorët e departamenteve të komunave ku qeverisja është fituar të udhëhiqet nga partitë që nuk ishin në pushtet, do të largohen nga këto detyra. Me apo pa dëshirë, shumica e drejtorëve komunalë do të zëvendësohen me drejtorë të rinj. Edhe pse emrat e tyre nuk bëhen publik, ata dihen nga kryetarët që kanë fituar nëpër komunat ku rezultati ndryshoi gjatë zgjedhjeve në favor të partive kundërshtare.
Ishin apo nuk ishin të suksesshëm, drejtorët e rinj duhet të vijnë nga partitë që fituan pushtetin dhe ata të “vjetrit” që u emëruan nga partia që kishte deri tash pushtetin të “ikin”. Por, disa nga ta në numër më të vogël edhe mund të mbesin, gjë që varet krejt nga koalicionet qeverisëse që do të lidhen /Zëri/
