Balotazhi i së dielës i cili ka befasuar shumëkënd me rezultatin, ka ridizajnuar hartën politike të vendit duke ua marrë partive politike kryesore disa komuna ku kanë pasur primat, derisa AKR'ja e Behgjet Pacollit dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë dalë si dy fituesit më të mëdhenj.Pacolli ka shënuar fitore në Gjakovë dhe Mitrovicën e Jugut, derisa Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka fituar kryeqytetin - me gjasë përkundër të gjitha parashikimeve.
Kështu aktualisht Partia Demokratike e Kosovës udhëheq me 10 komuna (Prizren, Skenderaj, Kamenicë, Kaçanik, Vushtrri, Gllogovc, Klinë, Rahovec, Dragash, Shtime).
Ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës udhëheq me 9 komuna (Pejë, Istog, Suharekë, Gjilan, Podujevë, Lipjan, Ferizaj, Fushë Kosovë, Viti).
Të dy partitë edhe të dielën kanë bërë deklarata me të cilat kanë konfirmuar se janë partia më e madhe në vend, transmeton express.
Kështu Memli Krasniqi i PDK'së ka thënë se partia e tij ka 10 mijë vota më shumë se LDK. Ndërsa Isa Mustafa i cili ka marrë goditje të madhe në Prishtinë po ashtu ka thënë se LDK është partia më e madhe. AAK ndërkaq sa për të dalë pak nga Rajoni i Dukagjinit ku ka fituar Deçanin dhe Junikun, ka triumfuar edhe në Obiliq. Aleanca Kosova e Re e Behgjet Pacollit ka arritur t’i fitojë dy komuna, Gjakovën dhe Mitrovicën e Jugut.
Vlen të theksohet se Malishevën do ta udhëheq IQM’ja, një subjekt që mbështetet nga Fatmir Limaj.