Moti


Qindra biznese private veprojnë në pjesën veriore të Mitrovicës, por shifrat për regjistrimin e tyre ndryshojnë në autoritetet kompetente në Prishtinë.
Sipas shifrave të Administratës Tatimore të Kosovës, në pjesën veriore të Mitrovicës janë të regjistruara 268 biznese, kurse në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë janë të regjistruara vetëm 47 prej tyre.

Në një përgjigje nëpërmjet postës elektronike, Mehdi Pllashniku, koordinator për çështje juridike-praktike në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, tregon se në komunën e Leposaviqit janë të regjistruara 32 biznese, 10 në Komunën e Zubin Potokut dhe 15 biznese janë të regjistruara nga komuna e Zveçanit.

Lidhur me këtë, vetë drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, pohon se sa i përket regjistrimit, janë dy pasqyra të ndryshme në mes të këtyre dy institucioneve.

Ai thotë se në pjesën veriore të Kosovës shumë biznese janë jo aktive. Këtë e sqaron me faktin se në MTI janë të regjistruara mbi 120 mijë biznese, kurse në ATK në tashmë figurojnë mbi 40 mijë biznese jo aktive, e që numri më i madh prej tyre janë nga pjesa veriore e Kosovës.

Por, a paguajnë tatim dhe sa janë të përgjegjshme këto biznese ndaj institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës?

Behxhet Haliti, drejtor në Administratën Tatimore të Kosovës, për Radion Evropa e Lirë thotë se ATK ka shtrirje në atë pjesë, jo në përmasa të mëdha, por është duke u zgjeruar. Sipas tij, afër dy vjet ATK-ja ka të punësuar një ekip të komunitetit serb në zyrën Rajonale në Mitrovicë.

“Gjatë këtyre pesë vjetëve të fundit, sidomos pas shpalljes së pavarësisë, në dy vjetët e fundit kemi një fluks të vogël të rritjes së regjistrimit të bizneseve të asaj pjese. Dhe, për këtë qëllim, ATK-ja para një viti e gjysmë ka rekrutuar një ekip në zyrën rajonale të Mitrovicës të komunitetit serb”, thotë ai. “Gjithashtu ka mbajtur trajnime, ka përgatitur materiale, fletëpalosje e doracakë të gjitha në gjuhën serbe. Ajo pjesë e tatimpaguesve ka filluar të marrë numra fiskalë, sidomos qëkur është hapur zyra rajonale në pjesën veriore të Mitrovicës”..

Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike shprehen skeptikë se tatimpaguesit në atë pjesë deklarojnë shitjen dhe bëjnë pagesat. Madje, ata shprehen të habitur si Ministria e Tregtisë dhe Industrisë nuk ka harmonizuar të dhënat më Administratën Tatimore të Kosovës.

Haki Shatri, ish-ministër i ekonomisë dhe financave i quan habitshme të dhënat në MTI dhe ATK.

“Është e çuditshme kjo, sepse edhe rregullorja e përcakton se bizneset fillimisht duhet të regjistrohen në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Unë nuk e kuptoj se si ATK-ja ka më shumë biznese në evidenca të veta sesa MTI. Ministria e Tregtisë është ajo që regjistron bizneset ose i çregjistron ato që dëshirojnë të çregjistrohen”, konsideron Shatri.

“Vullneti i bizneseve në pjesën veriore të Kosovës për të përfunduar obligimet, varet edhe nga situata politike”, thotë Behxhet Haliti. “Kemi një ngritje të gatishmërisë së tatimpaguesve, por ka pasur momente që ai trend ngadalësohet, varësisht se si tensionohej situata. Pas shpalljes së pavarësisë, kanë pushuar ato biznese deklarimin dhe pagesën, sepse ka qenë edhe nën presionin e grupeve të caktuara joformale që kanë menaxhuar dhe dirigjuar atë pjesë (veriore)”.

Por, Haki Shatri dyshon se bizneset në atë pjesë janë të përgjegjshme ndaj institucioneve qeveritare.

“Në fakt, në atë pjesë, deri më tash ATK-ja nuk ka qenë prezent me asnjë veprim. Më vjen keq, nuk është faji i Administratës dhe as inspektorëve, por nuk ka pasur kushte. Krejt ajo çka ka ndodhur atje ka qenë jashtë rendit tonë kushtetues, jashtë kontrollit të institucioneve tona tatimore”, thekson Shatri. /REL/
 
Top