I menjëhershëm ka qenë reagimi i Kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti në lidhje me përgjigjen e Ministrisë së Pushtetit Lokal lidhur me përdorimin e simboleve të shtetit në objektet e Komunës, si dhe fotografive të personaliteteve politike që duhet të jenë brenda zyrave.
Ai në një deklaratë të shkurtër për Indeksonline ka thënë se, flamuri është në zyrën e tij dhe në kuvendin komunal.
“Ashtu siç edhe e kemi pas ne në letër. Ne kemi thënë që flamuri është në zyrën e kryetarit dhe në kuvend komunal, andaj nuk ka nevojë për ndryshime”, ka thënë Ahmeti, duke shtuar se, është mirë që po ju shkon krejt komunave kjo shkresë.
--------------------------------------------------------------------------------------------------------------------
Ndryshe, sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Besnik Osmani, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Administratës Publike, Fitim Sadiku, i janë përgjigjur letrës që ua ka dërguar këtyre ministrive javë më parë Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Kryetari Ahmeti kishte kërkuar interpretim ligjor lidhur me përdorimin e simboleve të shtetit në objektet e Komunës, si dhe fotografive të personaliteteve politike që duhet të jenë brenda zyrave.
Kjo është përgjigja e Ministrisë së Pushtetit Lokal, e cila i ka sqaruar se si dhe ku duhet të vendosen simbolet e Republikës së Kosovës pas kërkesë së Kryetarit të ri të Prishtinës.
"Sa i përket përdorimit te flamurit shtetëror ne mjediset e brendshme, meqenëse Kuvendi i Komunës dhe Kryetari i Komunës, janë organet kryesore të Komunës, flamuri shtetëror duhet te vendoset edhe ne mjediset e brendshme, konkretisht, ne sallën e Kuvendit te Komunës dhe ne zyrën e Kryetarit te Komunës. Flamuri shtetëror mund te vendoset edhe ne mjedise tjera te brendshme te zyrave publike dhe ne këto raste, flamuri qëndron ne te djathte te vendit kryesor apo ne tavolinën e punës", thuhet në përgjigjen e MAPL.
"Kushtetuta e Republikës se Kosovës përcakton se simbole shtetërore janë: Flamuri, stema dhe himni. Prandaj, të gjitha institucionet shtetërore dhe publike obligohen të përdorin simbolet shtetërore ashtu siç përcaktohet me nenin 6 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës", thuhet më tej në përgjigje.
MAPL ia ka bërë të qartë Shpend Ahmetit se nëse nuk i respekton simbolet shtetërore atëherë do të merren masa ligjore dhe kushtetuese ndaj të gjithë atyre që nuk respektojnë simbolet shtetërore.
"Ne rastin konkret, flamuri shtetërore është i obligueshëm të vendoset ne mjediset e brendshme dhe te jashtme te institucioneve shtetërore dhe publike, prandaj, flamuri dhe sterna detyrimisht duhet te vendosen ne hyrje te ndërtesës së Komunës"
