Sikur zgjedhjet të realizoheshin në shkurt të këtij viti duket se skena do të kishte ndryshime shumë të mëdha.
Një anketë e realizuar në javën e parë të shkurtit nga njëra nga ambasadat më me ndikim të cilën e ka siguruar KosovaPress-i, rezulton me ndryshime të mëdha në zgjedhjet e ardhshme. Duket se këtë e ka parë edhe kryeministri Thaçi dhe kjo mund të jetë edhe arsyeja e fushatës së tij 7 ditë në javë me premtime miliardëshe.
Kjo anketë është e detajuar si me mendimin se kë do të voton qytetari, ashtu edhe me analizën se pse qytetari ka vendosur të votojë ndryshe, por edhe mendimin për liderët politikë.
Sipas kësaj ankete, LDK dhe VV do të jenë përfituesit më të mëdha dhe se do ta shfrytëzojnë rastin prej një klime të konsiderueshme anti-qeveri. Po sipas kësaj ankete,LDK-ja do të fitojë 28%, ndërsa PDK do të ketë 23%. VV do të ketë rritjen më të madhe me 14%, AAK do të fitojë 8% të votuesve, ndërsa 11% janë ende të pavendosur.
E veçanta e kësaj ankete është se AKR nuk do të mbërrijë pragun zgjedhorë (vetëm 3%), ndërsa edhe pse Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi nuk kishin formuar parti dhe pyetjet nuk kishin të bëjnë me ta, më shumë se 1% janë vetëdeklaruar se po që se do të bëjnë parti ata do t’i votojnë .
Në anketë qytetarët janë deklaruar se nuk po votojnë LDK si alternativë por se ajo po përfiton si partia e vetme që mund ta rrëzoj PDK-në nga pushteti. LDK dhe VV janë duke i tërhequr votuesit anti PDK dhe të gjithë ata që janë të pakënaqur me gjendjen ekonomike në vend.
Në pyetjen e bërë se kush do të jetë kryeministër i Kosovës, shumica preferojnë Isa Mustafën, pastaj vjen Hashim Thaçi, Albin Kurti, Ramush Haradinaj dhe vetëm 4% preferojnë Behgjet Pacollin. 10 % e votuesve janë të papërcaktuar. Tek LDK vërehet se ka dallim të madh në preferencën për partinë dhe kryeministrinë. Përderisa 28% preferojnë LDK-në, 22% e preferojnë Isa Mustafën për kryeministër, ndërsa, tek partitë e tjera nuk vërehet një dallim kaq i madh.
Sa i përket preferencës së kush është lideri më i mirë politikë, Shpend Ahmeti gëzon më se shumti popullaritet me 61%, i pasuar nga Mimoza Kusari-lila (59%), Albin Kurti( mbi 48%), Fatmir Limaj (46%), Isa Mustafa (41%), Ramush Haradinaj (39%) dhe ne fund vjen Hashim Thaçi m e 31%.
Lidhur me koalicionet e mundshme, opsioni më i kërkuar është koalicioni LDK-VV me 20%, ndërsa, më i padëshirueshmi është PDK-LDK (11%) dhe PDK-AAK (9%).
Sa i përket vlerësimit për guxim dhe aftësi Albin Kurti gëzon popullaritet më së shumti me 49%, përkatësisht 48%, i pasuar nga Ramush Haradinaj me 41% për guxim dhe më së paku aftësi ( 28% ), ndërsa, Isa Mustafa ka shumë më pak guxim ( 33% ), kurse, shumë më shumë aftësi ( 49% ). Hashim Thaçi është vlerësuar me 33% aftësi dhe 35% për guxim.
Anketa e siguruar nga KosovaPress, është zhvilluar me rreth 1000 respondent në tërë territorin e Kosovës.(G.express)