OJQ “Fortesa” vlerëson se Komuna e Kamenicës ka abuzuar me fondin e bursave për studentët, duke shkelur kriteret e konkursit. Janë përzgjedhur familjarë të udhëheqësve dhe zyrtarëve komunalë dhe janë jashtë skemës studentë që i kanë plotësuar kushtet e që kanë nevojë për mbështetje. Kërkojmë nga Komisioni Komunal për ndarjen e bursave, ta rishikoj vendimin.
Sipas përfaqësuesve të kësaj OJQ-je, në mesin e të përzgjedhurve janë:
Mbesa e drejtorit për Mbrojtje dhe Shpëtim,
Djali i përgjegjësit të Inspektoriatit,
Mbesa e ish-drejtorit të Shërbimeve Publike,
Vajza e zyrtarit për mbrojtjen e ambientit,
Djali i kryetarit të Gjykatës për Kundërvajtje,
Djali i drejtorit të Shtëpisë së Kulturës,
Djali i Inspektorit të Ndërtimeve, e shumë familjarë të tjerë të udhëheqësve e zyrtarëve komunalë.
“Duke parë këto shkelje dhe abuzime, kërkojmë nga drejtoria e Arsimit ta anuloj vendimin dhe ta rishpallë konkursin. Me këto veprime, pushteti aktual po e vazhdon praktikën e qeverisjes së kaluar, duke abuzuar me fonde publike dhe duke rrënuar kriteret e konkursit. Kërkojmë nga kryetari i Komunës, t’i jap fund këtyre shkeljeve dhe të mos e shndërroj Komunën në çerdhe të nepotizmit e militantizmit.”, thuhet n reagimin e OJQ Fortesa, lidhur me vendimin mbi ndarjen e bursave për studentë
Në Vazhdim reagimi i plote i Komunës i pa edituar
------------------------------------------------------------------------------------------------------------
OJQ “Fortesa” joprofesionale dhe e paaftë!
Lidhur me pretendimet e OJQ Fortesa se ka pas abuzime nga ana e Komunës me fondin e bursave për studentët, pasi janë shkelur kriteret e konkursit e janë përzgjedhur familjarë të udhëheqësve dhe zyrtarëve komunalë, (shih shkrimin: OJQ “Fortesa”: Komuna ka abuzuar me fondin e bursave për studentët), ka reaguar Komuna e Kamenicës përmes Faton Biqkaj, zëdhënës i kësaj Komune, në të cilin reagim thuhet:
“Komuna e Kamenicës është e vendosur që aktivitetin e vet ta zhvilloj në transparencë të plotë, dhe për këtë qëllim ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi edhe me organizata joqeveritare. Komuna e vlerëson lart angazhimin e secilës organizatë apo individ që angazhohet për qeverisje më të mirë dhe më transparente.
OJQ “Fortesa” duke e quajtur abuzim me fondin e bursave, vendimin e komisionit komunal, ka treguar sa joprofesionale dhe e paaftë është për t`u marrë me monitorimin e punës së komunës. Komisioni komunal ka vendosur të ndajë bursa për 220 studentë të Kamenicës, të cilët vijnë nga të gjitha lokalitetet e Komunës, dhe nga të gjitha lagjet e këtyre lokaliteteve andaj në mesin e 220 studentëve përfitues edhe mund të jetë mbesa apo nipi i ndonjë shërbyesi civil komunal apo zyrtari të lartë të komunës, marrë në konsideratë faktin se administrata komunale numëron mbi 200 punëtorë.
Reagimi joprofesional I kësaj “OJQ –je” nuk e zbeh aspak kontributin e madh që jep komuna e Kamenicës në edukimin e rinisë përmes mbështetjes me bursa, dhe aq më shumë nuk e zbeh aspak as bashkëpunimin e mirë të Komunës me shoqërinë civile.”, thuhet në reagimin e Komunës së Kamenicës lidhur me deklarimet e OJQ “Fortesa” se me bursa ka pas abuzime.