Ka disa ditë që fshatra të shumta të Kamenicës po përballen me mungesë të madhe të energjisë elektrike.
Sipas nënkryetarit të Komunës Fatmir Matoshi kjo po paraqet një problem serioz për banorët dhe institucionet lokale.
Fshati Busavatë deri në tri ditë ka qenë plotësisht pa energji elektrike ndërsa banorët thonë se janë këshilluar nga zyrtarët e KEDS-it të dalin vet dhe ta gjejnë vendin ku është shkaktuar defekti.
Mungesë e theksuar e energjisë elektrike ka edhe në Muqiverc, Tugjec dhe fshatra të tjera të Kamenicës. “Pas reshjeve të shumta të shiut institucionet lokale kanë intervenuar në ditën e njëjtë duke liruar rrugët e bllokuara, dhe fill pas kësaj jemi përballur edhe me ankesa të shumta të qytetarëve për mungesë të energjisë elektrike, ku ka pasur fshatra që kanë mbetur pa rrymë deri në tri ditë dhe për fat të keq kjo gjendje po vazhdon edhe më tutje.
Këto të reshura kanë shkaktuar probleme edhe në komunikim ku në një pjesë të fshatrave të Kamenicës nuk kanë funksionuar telefonat mobil. U bëjmë apel zyrtarëve të KEDS-it që të jenë më efikas në punën e tyre sepse mungesa e gjatë e energjisë elektrike dëmton shumë familje sidomos në aparatet e amvisërisë” rajonipress