Sipas analistëve, tentimi për t’i bërë numrat e nevojshëm në Kuvend për formimin e Qeverisë, përmes minoriteteve, është i gabuar. Sipas tyre, kjo nuk prodhon stabilitet për vendin, e aq më pak qeveri stabile.
Fisnik Korenica, nga Grupi për Studime Juridike Politike, thotë se në rast se krijohet Qeveria pa Lëvizjen Vetëvendosje e me minoritete,
kjo qeveri do të dirigjohet nga urdhrat e Listës Srpska që diktohet nga Beogradi.
Sipas tij, kjo qeveri do ta ketë të vështirë t’i shtyjë para çështjet e rëndësishme për vendin.
Televizioni Rrokum ka provuar gjatë tanë ditës të marrë qëndrimin e Partisë Demokratike për këtë çështje.
Por, zyrtarët e PDK kanë hezituar të flasin para kamerës.
Nënkryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, nuk e ka mohuar mundësinë që nëse PDK e krijon Qeverinë, këtë nuk e synon me deputetët e pakicave.
Ndërsa, Ahmet Isufi, nënkryetar i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës, ka deklaruar se koalicioni LDK-AAK-NISMA synon qeveri të shumicës shqiptare.
Përfshirja e minoriteteve në Qeverinë e vendit, është garanci e dhënë me Kushtetutën e Kosovës. Por, kjo garanci ka sjellë jo rrallë telashe. /Rrokum/