Moti

Mbreti Abdullah i Arabisë Saudite ka paralajmëruar se Perëndimi do të jetë caku i ardhshëm i ISIS që po luftojnë në Siri dhe Irak, nëse nuk ndërmerren masa “të shpejta”.

“Nëse ne i injorojmë ata, unë jam i sigurt se ata do të mbërrijnë në Evropë brenda një muaji, dhe në Amerikë një muaj më pas”, ka thënë ai, sipas të përditshmes Asharq al-Awsat dhe televizionit Al-Arabiya.

“Terrorizmi nuk njeh kufi dhe rreziku i tij mund të prekë disa vende jashtë Lindjes së Mesme”, ka thënë mbreti, duke folur në një ceremoni mirëpritëse për ambasadorët e rinj në vend, duke përfshirë një emisar të ri nga aleatët e sauditëve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

ISIS ka ngjallur shqetësime të gjera teksa ai po avancon në Siri dhe në Irak, duke vrarë disa qindra njerëz, madje edhe me prerje të kokave.

Mungesa e reagimit do të ishte “e papranueshme” përballë këtij fenomeni, ka deklaruar mbreti saudit, Abdullah.
“Po shihni se si ata (ISIS) po presin koka dhe po i detyrojnë fëmijët që t’i ekspozojnë kokat e prera në rrugë”, është shprehur Abdullah, duke dënuar “mizorinë” e veprimeve të tilla.

“Ju tashmë e dini se çfarë kanë bërë ata, dhe se çfarë do të bëjnë ata në të ardhmen. Unë po ju kërkoj juve që t’ia transmetoni këtë mesazh udhëheqësve tuaj: ‘Luftojeni terrorizmin me forcë, me arsye dhe me shpejtësi!’”, ka deklaruar mbreti i Arabisë Saudite.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ende nuk ka vendosur nëse vendi i tij duhet të ndërmarrë sulme kundër pozicioneve që mbahen nga ISIS në Siri, pas sulmeve ajrore amerikane ndaj aktiviteteve të grupit xhihadist në Irak.


 
Top