Nënkryetari i Kamenicës Fatmir Matoshi është kthyer nga Brukseli, ku ka marrë pjesë në seminarin ”Roli i komunave në mbështetjen e personave me nevoja të veçanta”. Ky seminar tre ditorë është organizuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të Instrumentit për Mbështetje Teknike dhe shkëmbim përvojash –TAIEX.
“Republika e Kosovës e ka të rregulluar mirë bazën ligjore për mbështetje personave me nevoja të veçanta, por implementimi i tyre në praktikë paraqet një sfidë të veçantë për komunat dhe institucionet në përgjithësi.
Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian i kushtojnë një kujdes të veçantë aftësisë së kufizuar dhe ndajnë për këtë qëllim shuma të konsiderueshme të mjeteve buxhetore. Gjatë seminarit kemi dëgjuar prezantime të ndryshme përfshirë edhe atë të nënkryetarit të Gotenburgut, qytet ky i cili këtë vit është shpallur qyteti me qasjen më të mirë të mundshme për personat me aftësi të kufizuara.
Po ashtu edhe prezantimi i përfaqësues së rajonit të Westfalisë në Gjermani, ku nga tetë milion banorë, 1.6 milion janë me aftësi të kufizuar dhe shteti është vënë në mbështetje të plotë të tyre ka qenë mjaft domethënës për të gjithë pjesëmarrësit që ishin nga shtete pretenduese për të qenë anëtarë të BE-së “ ka thënë nënkryetari Matoshi.
Nënkryetari i Kamenicës ka vlerësuar se në Kosovë ka nevojë për rritjen e vullnetarizmit për ta mbështetur këtë kategori, e cila në Gjermani përveç nga institucionet mbështetet edhe nga donatorë të ndryshëm dhe nga bashkësitë fetare, në veçanti nga kisha.
“Ndërmarrjet që punësojnë punëtor me aftësi të kufizuara gëzojnë privilegje nga shteti dhe subvencionohen, ndërsa ato që nuk punësojnë janë të detyruara të paguajnë për aftësinë e kufizuar dhe nga këto mjete pastaj krijohen fonde me të cilat organizohen trajnime për aftësimin për punë të ndryshme të kësaj kategorie të shoqërisë.” tha Matoshi.
Qëllimi i këtij seminari ishte të paraqesë legjislacionin e BE-së për Politikën e aftësisë së kufizuar para autoriteteve lokale dhe rajonale që vinin nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë dhe për ti njoftuar ata më mirë me formën dhe mënyrën e funksionimit të organizmave të Bashkimit Evropian.