Moti

Matoshi: Kosova avancon në trajtimin e pakicave

Nënkryetari i Kamenicës Fatmir Matoshi, duke folur në emër të delegacionit nga Kosova në konferencën rajonale “Të drejtat e njeriut dhe mbrojtja e minoriteteve në Evropën Juglindore” e mbajtur në Shkup ka thënë se shteti i Kosovës avancon në trajtimin e mirë të pakicave etnike.

“Kosova ka aprovuar ligje të favorshme për pakicat dhe ka krijuar mekanizma të mjaftueshëm për zbatimin e tyre.

Duke filluar nga niveli lokal ku nëpër komuna janë të themeluara Zyrat Lokale për Komunitete, emërimin e nënkryetarëve për komunitete të cilët merren me promovimin e të drejtave të pakicave, zbatimit të dygjuhësisë dhe përfshirjen e komuniteteve jo shumicë në vendimmarrje, komunat kanë bërë përparim të theksueshëm në këtë drejtim dhe si pasojë e kësaj pakicat në nivel lokal janë integruar mjaft mirë në institucione. Në nivelin qendror Kosova ka të themeluar një ministri për komunitetet, pranë kabinetit të Kryeministrit funksionon një zyrë e veçantë për çështjet e komuniteteve ,

vazhdojnë të mbesin vendet e garantuara për përfaqësim në Kuvendin e Kosovës dhe shumë mekanizma të tjerë ligjor që avancojnë dhe promovojnë të drejtat e pakicave” tha Matoshi.

Ky prezantim u bë në konferencën e organizuar nga Këshilli i Evropës  e në të cilën merrnin pjesë përfaqësues nga Ministritë e pushtetit Lokal dhe autoritetet lokale të 36 komunave që vijnë nga Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia dhe Kosova.

Matoshi në këtë konferencë ka folur edhe për hapat pozitiv që janë ndërmarrë në pjesën veriore të Kosovës. “ Sot këtu së bashku me delegacionin nga Kosova janë përfaqësuesit e Komunës së Leposaviqit dhe kjo është për tu përshëndetur, ata punuan së bashku me kolegët nga komunat tjera të Kosovës për tu siguruar se projektet e implementuara në Kosovë të jenë në përputhje të plotë me Konventën Kornizë të Këshillit të Evropës për Pakicat Kombëtare” tha Fatmir Matoshi.

Në këtë konferencë marrëveshje bashkëpunimi dhe financimi të grandeve nënshkruan katër komuna të Kosovës:  Kamenica , Vushtrria, Leposaviqi dhe Rahoveci.

 
Top