Moti

Qeveria e Kosovës vazhdon të vlerësohet si ‘qeveri luksi’, me shumë shpenzime në dreka, derivate e telefona, raporton KTV.

Vetura zyrtare pas orarit të punës - në restorante e madje edhe në bregdet - qytetarëve të Kosovës u ka rënë të shohin shpesh. Sipas monitorimeve të shoqërisë civile, luksin vetëm sa e kanë shtuar zyrtarët qeveritarë, pavarësisht deklaratave të shumta të Qeverisë se buxheti është i kufizuar.

Një raport i Institutit “GAP” thotë se për 50 për qind janë rritur shpenzimet për derivate në periudhën 2009-2013.
Në vitin 2009 ishin shpenzuar 17 milionë euro, ndërkaq në 2013-ën 26 milionë për derivate - përfshirë ato për ngrohje dhe qëllime të tjera.

Por, në fakt, veturat që shfrytëzohen nga institucionet e Kosovës nuk është se shpenzojnë vetëm për derivate, por para të shumta shkojnë edhe në servisim dhe mirëmbajtjen e tyre.

Sipas të dhënave nga Ministria e Administratës Publike, vetëm Zyra e Kryeministrit, bashkë me 19 ministri, ka në dispozicion 825 vetura zyrtare, përcjell Koha.net.

Top tri ministritë që kanë më shumti vetura janë ajo e Punës dhe e Mirëqenies Sociale - me 119, Ministria e Punëve të Brendshme - 104, dhe ajo e Infrastrukturës me 97 vetura.(telegrafi)

03 Maj 2015
 
Top