Moti

Pavarësisht se nuk ka të dhëna të sakta, sipas disa hulumtimeve, numri i përdoruesve të kohëpaskohshëm të substancave narkotike në Kosovë është rreth 20 mijë, ndërsa atyre që e përdorin rregullisht është rreth 5 mijë. transmeton telegrafi


Njëkohësisht, viteve të fundit, mosha e atyre të cilët fillojnë të abuzojnë me drogë vazhdimisht po bëhet më e re. Para shtatë viteve, mosha mesatare e atyre që e kanë përdorur drogën për herë të parë ka qenë 19 vjeç, kurse sot është 16,2 vjeç, thotë për Anadolu Agency, Safet Blakaj, drejtori i Qendrës Specialistike Psikiatrike “Labyrinth” nga Prishtina, që merret me problemin e abuzuesve me droga.

Veç kësaj, ai thekson se në dy tri vitet e fundit është rritur shumë, numri i të rinjve nën moshën 18 vjeçare të cilët e përdorin lëndën narkotike kanabis (marihuanën).

“Kjo është me të vërtet shqetësuese pasi që të rinjtë e moshës 16 vjeçare me të madhe po e përdorin këtë drogë dhe kjo është përhapur jo vetëm në vendet urbane por edhe nëpër mjediset rurale ku kanë filluar të përdorin marihuanën. Gjashtë muajt e fundit ne jemi duke përcjell se çfarë po ndodh dhe po shohim se qasja deri tek droga e tipit kanabis është vështirësuar, prandaj edhe është ngritur çmimi dyfish e ndoshta edhe më shumë” tha Blakaj.

Para dhjetë vjetëve çmimi i heroinës ka qenë 12 deri në 15 euro për gram, ndërsa sot kushton rreth 25 euro për gramë, thotë ai. Sipas Blakajt, deri para dy viteve, kanabisi ka qenë prezent në çdo skutë dhe dy “jointa” kanë kushtuar 5 euro. Ndërkohë, çmimi aktual është dyfish më i shtrenjtë.

Blakaj vlerëson pozitivisht faktin që gjatë dy viteve të fundit, përdorimi i heroinës, drogës më të rrezikshme e cila shumë shpejtë krijon varësi, po stagnon. Megjithatë, përdorimi i substancave tjera narkotike është shqetësues.

“Është brengosëse, posaçërisht këtu në Prishtinë, sepse tashmë kemi edhe disa droga të reja të porsa dizajnuara, sikurse është JGB e cila është shumë prezent. Nuk e kemi vërejtur në mjediset tjera në Kosovë, por në Prishtinë përdoret shumë në qarqe të caktuara dhe ka tendencë që të shtrihet përdorimi i saj. Kjo drogë është e njohur edhe si drogë për dhunim. Megjithatë, nuk është ky një relacion sikurse po flitet por problemi tek ajo qëndron në faktin se, edhe kjo shkakton shumë shpejtë varësi” thotë Blakaj.

Në bazë të dhënave të "Labyrinthit" i cili gjatë 6 viteve të fundit po përcjell rregullisht se çfarë po ndodh me klientët e tyre, në vitin 2012 ka pasur 17 raste fatale për shkak të të tej dozimit. Ky ishte një prej viteve më tragjike në Kosovë, sa i përket fataliteteve për shkak të abuzimit me droga.

“Ky vit ka filluar më keq se ai i kaluari, do të thotë kemi më shumë raste të vdekjes për shkak të tej dozimit. Ky është problem i madh, në veçanti tani kur po përzihen drogat, ilaçet, pastaj llojet e ndryshme të drogave dhe jo vetëm një, për shembull, heroin, metadon, benzodijazepan dhe kjo është me të vërtet e rrezikshme për tej dozim” thekson Blakaj.

Në Kosovë, shton ai, ekziston ligji i cili ndalon shitjen e ilaçeve të caktuara pa recetë, megjithatë ato ilaçe pa problem mund të blihen nëpër farmaci. Sipas Blakajt, një problem tjetër është mungesa e regjistrit të narkomanëve, jo për t’i lajmëruar në polici por, për faktin që pacientit t’i jepet doza e cila i nevojitet dhe jo më shumë se aq.

Blakaj përmend se në Kosovë nuk ekziston Qendra për Rehabilituese për shërim dhe ndërprerjen e abuzimit me droga, dhe se narkomanët mund t’i lajmërohen vetëm Labyrinthit për ndihmë afat shkurte ose repartit në klinikën Psikiatrike ku kushtet nuk janë të mira sepse janë të përzierë me pacientë tjerë. Ai shton se Ministria Shëndetësisë rishtazi ka filluar procesin për hapjen e institucioneve të cilat do t’i përfshinin edhe aktivitetet ditore dhe rehabilitimin e të varurve nga droga.

Për shërim është shumë me rëndësi, thotë Blakaj, që problemi të detektohet sa më herët dhe menjëherë të ndërmerren masa të caktuara.

“Sa më herët aq më mirë. Marrëdhëniet e mira në familje janë shumë të rëndësishme. Nuk do të thotë se vazhdimisht duhet të flitet për droga me fëmijët, mirëpo ajo marrëdhënie e ngrohtë është e rëndësishme. Në momentin kur dyshohet diçka, është më mirë të drejtoheni ekspertëve dhe të intervenohet në mënyrën e duhur. Nëse e fshehim problemin, ai shumë shpejtë do të bëhet problem edhe më i madh si për familjen ashtu edhe për fëmijën” thotë ai.

Porosia e tij është se gjithmonë ka shpresë dhe se duhet të investohet shumë mund dhe shpresa, nëse jo në shërimin e plotë atëherë së paku në zvogëlimin e rrezikut nga tej dozimi apo infeksionet e ndryshme.(telegrafi)
 
Top