Moti

OJQ “Fortesa” kundërshton blerjen e veturave të reja nga Komuna e Kamenicës. Sipas kësaj organizate, qeverisja aktuale e Komunës nuk po e ndalë hovin e luksit. “Ashtu sikurse shumica e premtimeve të krerëve komunalë që janë tretur si kripa në ujë, edhe zotimi për uljen e trendit të blerjeve dhe përdorimit të veturave zyrtare nuk po mbahet”, ka thënë përfaqësuesi i kësaj organizate, Amir Jakupi.

Ai e ka kundërshtuar blerjen e veturës së re, për të cilën Komuna ka nisur procedurat e tenderimit. “Vitin e kaluar Komuna shpenzoi 50 mijë euro për vetura, të cilat në të shumtën e rasteve përdoren për qëllime private. Derisa gjysma e popullatës së Kamenicës jeton në varfëri, kjo qeverisje po bënë jetë luksi”, është shprehur më tej Jakupi.

Përmes një reagimi, monitoruesi i “Fortesës” ka thënë se “Përdorimi i veturave zyrtare pa aprovim, pa shënim të destinacionit dhe qëllimit” kanë qenë edhe vërejtje të Auditorit dhe nuk janë përfillur.

“Mashtrimi elektoral me shitjen e xhipit dhe ndaljen e luksit, keqpërdorimi i parasë publike, kurdisja e tenderëve, mosndëshkimi i zyrtarëve që s’japin llogari dhe që e rrjepin buxhetin, të tjerëve që përdorin asetet publike dhe nuk kryejnë asnjë punë, nuk janë gjë tjetër veçse vazhdim i rrugës së udhëheqjes së ndëshkuar me votë në fund të vitit 2013”, ka deklaruar Amir Jakupi.

 
Top