LDK- Dega në Kamenicë vlerëson së deklaratat e kryetarit Sinani se shumica e projekteve të parapara janë realizuar nuk është e vërtetë, sepse kjo qeverisje e udhëhequr nga Begzad Sinani as që ka paraparë ndonjë projekt, e nëse flasim për premtimet elektorale ato as që kanë filluar të realizohen.
Deklarimi i kryetarit se po presim të fillojnë edhe disa projekte të tjera është papërgjegjshëm kur dihet se tashmë po hyjmë në sezonin e dimrit, dhe projektet e tilla edhe nëse fillojnë nuk do të jenë kualitative por do të bëhen shkel e shko. Projektet e realizuara janë blerja e veturës zyrtare si dhe blerja e kompjuterëve. Në raportin 9 mujor të shpenzimeve komunale paraqiten vetëm 270 mijë euro investime aq sa ka edhe shpenzime nga mallërat dhe shërbimet e kryesisht shpenzime të luksit, dreka, derivate, udhëtime, meditje, paga për punëtorët në kontratë në vepër etj. Vetëm zyra e kryetarit për 9 muaj ka shpenzuar 20 mijë e 800 euro për derivate dhe rreth 15 mijë euro për dreka zyrtare. Gjatë kësaj periudhe qeverisëse ka pasur punësime politike dhe familjare pa u respektuar asnjë kriter përveç atij familjar dhe partiak.
Kjo qeverisje nuk ka qenë e aftë të siguroj inventarin për Shkollën e Mesme në Roganë, e ndërtuar nga Bashkimi Europian e që kanë premtuar se më 15 Nëntor do të përurohet. Gjendja e disa rrugëve lokale është e vështirë e as që është ndërmarrë ndonjë veprim që së paku të përmirësohen.
Kjo qeverisje duhet të jetë e përgjegjshme para qytetarëve të Komunës që së paku mos të tentoj t`i gënjej sepse ne dhe qytetarët i mbajnë mend premtimet publike dhe premtimet nëpër lagje. Do t’i theksojmë disa prej tyre siç janë: prishja e urës në Topanicë dhe të rregullohet Urë e re, Shtëpia e Kulturë në Roganë, Shkolla në Krilevë, Busavatë, asfaltimi i shumë rrugëve lokale, rregullimi i parqeve në Kamenicë, kyçja e qytetarëve të Shipashnicës në ujësjellës ( ku është marr vendim në KK vitin e kaluar), hapjen e vendeve të reja të punës, shitjen e veturës Hundai përkundrazi janë blerë 4 vetura në vlerë mbi 60 mijë euro, etj.
Në buxhetin e vitit të ardhshëm edhe të hyrat komunale janë paraparë të shpenzohen për paga dhe shpenzime e që për investime kapitale nga 850 mijë euro vetëm 350 shkojnë për investime kapitale sepse pjesa tjetër duhet të shpenzohen për luksin e këtyre pushtetarëve që po i kushtojnë shtrenjtë qytetarëve të Komunës së Kamenicës thuhet në reagimin e degës së LDK-së në Kamenicë./rajonipress/