Moti

Gjykata Themelore në Mitrovicë ka shpallur fajtor Oliver Ivanoviqin, lideri i Iniciativës qytetare serbe.

Ai është dënuar me 9 vjet burg për krime lufte ndaj shqiptarëve gjatë dhe pas luftës në Kosovë. 
Raportohet se ish lideri i Iniciativës serbe SDP është dënuar me 9 vjet burgim për pikën e parë të aktakuzës së tij.

Ndërkohë shtohet se Oliver Ivanoviq nuk është gjetur fajtor për pikën dy të aktakuzës për kryerjen e krimeve të luftës ndaj popullatës civilëve gjatë viteve 1999 dhe 2000.

Bashkë me Ivanoviqin në aktakuzë janë të përfshirë edhe koloneli i pensionuar i MPB-së serbe, Dragoljub Delibashiq, babë dhe bir Elias dhe Nebojsha Vujaçiq dhe Aleksandër Lazoviq, të cilët janë akuzuar për vrasje dhe tentim vrasje.

Ivanoviq ka qenë në paraburgim që nga janari i vitit 2014.

Në fillim të vitit 2014, i dyshuar për krime lufte e pas saj, Oliver Ivanovic ishte thënë se mund të dënohet nga 10 vjet deri në burgim të përjetshëm.

Në fletarrestimin ndaj politikanit serb, ishin përshkruar urdhrat që ka dhënë Ivanovic për vrasjen e 9 shqiptarëve në prill 1999, si komandant i MUP-it në veri.

Aty ishin përshkruar edhe urdhrat dhe pjesëmarrja në vrasjet e shqiptarëve të veriut në shkurt 2000, këtë herë në rolin e udhëheqësit të grupit paramilitar “Rojat e Urës”.

Sipas aktakuzës, përcjell kosovapress, më 14 prill 1999, në rrugën “Miladin Popoviq”, tani “Ahmet Selaci” dhe në rrugën për në Bair, Ivanoviq duke vepruar si komandant i Stacionit në Mitrovicë në kuadër të MPB të Republikës Federale të Jugosllavisë urdhëroi një grup të caktuar të policëve që të bëjnë krime lufte kundër personave që nuk ishin direkt të përfshirë në luftime dhe me këtë urdhëroi që të kryejnë vrasjen e viktimave të nacionalitetit shqiptar, e që janë: Fatmir Mustafa, Skender Paqarada, Avni Abazi, Mehmet Sefari, Isa Mustafa, Xhemshit Smajli, Behxhet Ferizi, Mentor Mehana dhe Shefki Kosumi.

Si rezultat i kësaj, nën komandën dhe kontrollin e Ivanoviqit janë pushkatuar për vdekje Fatmir Mustafa, Skënder Paqarada, Avni Abazi dhe Mehmet Sefari.

Ndërsa pas luftës, më 3 shkurt të vitit 2000 grupe të policëve të MUP-it dhe të Rojave të Urës iu bashkuan një grupi spontan të serbëve të Mitrovicës Veriore, të cilët hynë në ndërtesat ku jetonin familje t shqiptare, me qëllim të dëbimit të tyre dhe me qëllim final që t’i vrisnin, dhe i vranë personat në vazhdim duke përdorur mjete eksplozive, armë dhe thika:

Viktimat ishin: Nderim Ajeti, Nexhmije Xhaka, Sebiha Abrashi, Remzije Canhasi, Muharrem Sokoli, Selime Berisha, Nezir Voca, Shqipe Voca, Bashkim Rukeci dhe Nimon Sejdiu.

Nga aksioni i parë, ku janë përdorur mjete eksploduese, armë dhe thika kanë mbijetuar me lëndime të rënda Rrezarta Ajeti, Nexhmedin Ajeti dhe Emine Ajeti.

 
Top