Moti

Komuna e Kamenicës së bashku me krerët e bashkësive fetare, kanë mbajtur sot takimin e radhës me përfaqësuesit e UNDP, në kuadër të përgatitjeve për fillimin e implementimit të projektit, “Ngritja e besimit përmes Mbrojtjes Kulturore në Kosovë “.
Në takimin e drejtuar nga Nënkryetari Fatmir Matoshi, u fol për ecurinë e deritanishme të këtij projekti.

“Komuna e Kamenicës është mirënjohëse Bashkimit Evropian si donator dhe UNDP-së si partner implementues i këtij projekti.

Ne kemi mungesë të buxhetit për investime kapitale, andaj investimet që do të bëhen nga Bashkimi Evropian janë shumë të mirëseardhura. Komuna së bashku me bashkësitë fetare do të jap kontributin e saj në realizimin e projekteve brenda afatit të paraparë, ne jemi pajtuar me bashkësitë fetare që projekt i përbashkët i yni të jetë Parku kryesor i qytetit, ndërsa jemi dakorduar edhe për listën e projekteve që do të implementohen nëpër objektet fetare” ka thënë Nënkryetari Matoshi.

Lorika Hisari, nga UNDP, i ka njoftuar të pranishmit se kjo organizatë ka angazhuar në rolin e konsultatit dhe mbikqyrtësit të projekteve edhe një ingjinier të ndërtimtarisë i cili është Naser Gjuka, i cili do të punojë ngushtë me komunën dhe partnerët e tjerë edhe për hartimin e projekteve finale. “Aktualisht po presim vendimin final nga Bashkimi Evropian për fillimin e punëve në tri projekte, Ndërtimi i Parkut të Qytetit, Renovimi i Xhamisë Haxhi Gani Sermaxhaj dhe rregullimi i oborrit të Kishës Ortodokse në qytetin e Kamenicës.

UNDP do të jetë përgjegjëse për tenderimin e këtyre projekteve si dhe për mbikqyrjen e punëve në bashkëpunim të ngushtë me komunën dhe partnerët e tjerë. Projektet e tjera janë gjithashtu të dorëzuara tek Bashkimi Evropian dhe po presim vendimin edhe për to, por tashmë edhe UNDP edhe Bashkimi Evropian e kanë të qartë që nevojat për investime në trashëgiminë kulturore e fetare në këtë pjesë të Kosovës janë të mëdha, dhe projekti është me rëndësi të përfundojë mirë që të krijohen mundësitë për vazhdimin e tij” tha Lorika Hisari.

Përfaqësuesit e Komunës dhe të bashkësive fetare kërkuan që të aprovohen edhe rregullimet e kulmeve në gjashtë Xhami të tjera, si dhe të rregullohet edhe këmbana e Kishës Ortodokse në Reqan. Këto kërkesa do t`i paraqiten Bashkimit Evropian sa më parë me qëllim që këto objekte fetare të kenë mundësi të riparohen sa më parë.

 
Top