Bashkatdhetarët tanë të cilët jetojnë jashtë vendit, e të cilët pushimet po i kalojnë në Kosovë, shprehen të pakënaqur me trajtimin që atyre u bëhet që nga momenti kur hyjnë në kufi të Kosovës. Ata thonë se gjithçka nis nga paratë që u merr Polica e sigurimit kufitarë, e deri tek trajtimet tjera që atyre u bëjnë institucionet e Kosovës.
Mërgimtarët thonë se përveç se detyrohen të paguajnë për Policat, për çka nuk ka askush informatë se ku shkojnë ato para, ata thonë se nuk kanë kurrfarë trajtimi në kufi, ku edhe rendet e gjata janë tepër të mërzitshme dhe shpenzuese.
Ata kërkojnë që tarifat e këtyre policave të hiqen tërësisht, ani pse ato këtë vit janë diku 50% më të lira. Azem Mehmeti, i cili ka ardhur nga Vjena e Austrisë, thotë se paguajnë për diçka që në të vërtetë nuk është as sigurim. Andaj kërkojnë që kjo pagesë tërësisht të hiqet, pasi që është diçka absurde.
Edhe Arben Krasniqi, i cili ka ardhur nga Zvicra për pushime në Kosovë, thotë se brengosëse për të mbetet trajtimi që po u bëhet, e jo shuma e parave që iu merret në kufi, për të cilat thotë se nuk e di se ku shkojnë. Ndërsa, Sali Bislimi, i cili jeton në Zvicër, thotë se detyrimi për të paguar si të arrijnë në kufi me Kosovën, është një ndjenjë jo e këndshme për ta.
Edhe Lulëzim Muqaj kërkon të dijë se ku shkojnë paratë e Policave, të cilët ai i paguan sa herë udhëton me veturë për në Kosovë.
Nga ana tjetër, Rrahim Pacolli, drejtor i Përgjithshëm i kompanisë së sigurimeve “Siguria”, i ka bërë apel publik Qeverisë, kryeministrit të Kosovës dhe kryeparlamentarit, që me një Vendim të Qeverisë, të hiqet pagesa për Policat Kufitare, duke filluar nga një gushti i këtij viti dhe Qeveria të marrë përsipër barrën e pagesës së dëmeve që shkaktohen nga këto vetura.
Pacolli për KosovaPress ka pohuar se heqja e pagesës për Policën Kufitare, do të jetë një lehtësim shumë i madh për diasporën tonë, të cilët konsiderohen si kontribuuesit më të mëdhenj të zhvillimit të shtetit të Kosovës, qoftë përmes investimeve të ndryshme, remitencave apo formave të ndryshme të mbushjes së buxhetit.
Ai thotë se nëse merret vendimi për heqje të pagesës për Policë Kufitare, kjo do të ndikonte pozitivisht në përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Byrove dhe Kartonin e Gjelbër dhe se përfitimet e Qeverisë nga heqja e kësaj pagese, do të jenë shumë më të mëdha në krahasim me humbjet.
