Moti

Ka kaluar Rezoluta për rrënimin e murit në veri, që sipas rezolutës do të ndodhë brenda muajit janar.

Votimi i Rezolutës së Kuvendit të Kosovës ka filluar me një fjalim të deputetit Daut Haradinaj, që përsëri ka kërkuar dorëheqjen e Edita Tahirit, që sipas disa dokumenteve të prezantuara nga ai, ajo nuk e ka duruar presionin për ta hequr murin që ia ka bërë Brukseli.

Lekaj ka lexuar rezolutën e harmonizuar mes grupeve parlamentare, transmeton Koha.net.

“Të rrënohet muri ilegal në veri të Mitrovicës, kjo të ndodhë në muajin janar. Qeveria e Kosovës të angazhohet që organet kompetente t’i ndërmarrin të gjitha veprimet ligjore për që është në ndërtim e sipër, i njëjti të trajtohet si veprim politik dhe ndërtim pa leje. Qeveria e Kosovës të merr masat e nevojshme që të mos ndryshohet ura e Ibrit dhe e njëjta të mos i ndryshohen elementet që i kishte para vitit 1999 dhe jo t’i shtohet muri dhe shkallët. Të bëhet e mundur që të kthehen qytetarët në pjesën veriore dhe jugore të vendit”, tha ai, transmeton Koha.net.

Pas këtij, Qerim Bajrami ka propozuar një pikë që flet për punësimin e komuniteteve në veri, por kryetari Kadri Veseli ka thënë që kjo përcaktohet me ligj dhe nuk ka nevojë për rezolutë.

Ndërsa nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Sabri Hamiti ka kërkuar që pikat në rezolutë të jenë konkrete dhe të formuluara drejt me një subjekt, ngaqë ai thotë se pika “Të bëhet e mundur sa më parë...” është shumë e papërcaktuar, duke u mbështetur nga deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi.

Vjosa Osmani ka thënë se ajo duhet të votohet rezoluta me dy ndryshime.

“Te pika e parë të obligohet Qeveria për rrënim dhe e dyta të saktësohet që fjala është për murin ilegal te ura e Mitrovicës”, ka thënë Osmani.

Nga PDK-ja ka folur kryetari i GP, Zenun Pajaziti që ka thënë se partitë politike është mirë të dërgojnë deputetë të cilët merren me këto gjëra dhe se muri mund të rrënohet edhe pa rezolutë, por megjithatë duhet të votohet edhe rezoluta.

E Pal Lekaj edhe njëherë para votimit doli në foltore dhe u pajtua me propozimin e nënkryetarit Hamiti dhe të tjerëve, por ai tha se të gjithë partitë kanë qenë në hartim dhe ka thënë që të vendoset ashtu si është në votim.

Ajo kaloi me 76 PRO, 2 KUNDËR dhe asnjë ABSTENIM.

 
Top