Moti

Jo çdo kush tani mund të ketë veturë në pronësi. Kjo pasi që ligji i ri për automjete që ka hyrë në fuqi më 27 qershor 2017, ka sjellë ndryshime në disa norma për regjistrimin e automjeteve.

Këto ndryshime në normat për regjistrimin e automjeteve i ka bërë të ditura Ministria e Punëve të Brendshme, në përgjigjet e saj për Gazetën Fjala.
Në bazë të këtij ligji detyrimisht pronari i automjetit, me rastin e regjistrimit duhet të posedoj patentë-shofer. “Përdoruesi i mjetit ose bartësi i të drejtës së përdorimit të mjetit mund të jetë vetëm personi i cili posedon patentë shoferin valid për kategorinë e mjetit që përdoret”, thuhet në ligjin për automjetet.

Ata që kanë gjoba të pa paguara në komunikacion do të duhet t’i paguajnë, ndryshe nuk do të mund ta regjistrojnë veturën. Me hyrjen e këtij ligji në fuqi ka ndryshuar edhe çështja e regjistrimit të veturës më rastin e ndërrimit të pronësisë. “Pronari i mjetit nuk mund ta bëjë regjistrimin apo vazhdimin e regjistrimit të mjetit me veprim motorik, as ndërrimin e pronarit, pa e bërë shlyerjen e gjobave për kundërvajtje në trafikun rrugor”.

Tani, pasi që të ndërrohet pronësia e automjetit, shitësi i automjetit obligohet që ta çregjistroi automjetin.
Por, edhe pasi që pronari i automjetit dëshiron që ta çregjistrojë automjetin e ri, me këtë ligj i jepet e drejta që të ruajë targat për një vit, për automjetin e njëjtë.

Me këtë ligji po ashtu është bërë e ditur se pronari i mjetit duhet t’i ndërroj targat e regjistrimit me të reja nëse njëra nga targat i ka humbur, dëmtuar, shkatërruar, amortizuar deri në atë masë që bëhet e papërdorshme. “Dënohet me gjobë nga njëqind (100) € personi i cili vepron në kundërshtim me paragrafin 1 të këtij neni”.

Përveç ndryshime në ligjin e automjeteve, të cilat kanë kryesisht të bëjnë me regjistrim të veturave, tashmë ndryshime do të ketë edhe tek importi i veturave të vjetra.

Importi i këtyre veturave, paralajmërohet se do të marrë fund nga dhjetori i këtij viti. Në bazë të një udhëzimi administrativ të Qeverisë së Kosovës, të nxjerrë në vitin 2015, ishin hequr kufizimet për importin e veturave, por kërkohej që ato t’i përmbushnin kërkesat mjedisore për emetim të gazrave, sipas standardeve të Bashkimit Evropian.

 
Top