Shpend Ahmeti arriti të fitojë të dielën në Prishtinë përballë Isa Mustafës, por partia e tij nuk kishte arritur që me 3 Nëntor ta merrte shumicën në Asamblenë e Kryeqytetit. Partia e parë është LDK me 18 asambleistë. Vetëvendosje ka vetëm 10 ulëse.
Asambleja e Prishtinës ka 51 anetarë, dhe rrjedhimisht, Shpend Ahmeti për të qeverisur në Prishtinë i duhen t'i ketë për vete së paku 26 asambleistë.
Me cilën parti mund te bëjë ai koalicione në mënyrë që projekti i tij te mbeshtetet edhe nga 16 asambleistë, plus 10 të Vetëvendosjes?
Në bazë të rezultateve te publikuar nga KQZ, LDK ka 18 asambleistë ne Prishtinë, Vetevendosje 10, PDK 8, AAK 4, AKR 4, LB 2, PD 2, Partia e Forte 1, Lista Serbe 1 dhe KDTP 1 asambleistë.
Lëvizja Vetëvendosje ka premtuar ndryshime në Prishtinë, ndërsa që tash e sa vjet mbanë pozicione të tensionuara me gjitha partitë. Nëse do të bënte koalicion me LDK-në nuk do te kishte kuptim premtimi i saj per ndryshme, kurse po te bënte koalicion me PDK-në do të kompromentohej gjithë lufta e saj politike kundër Hashim Thaçit dhe qeverisjes qëndrore.
Ndërkaq sot në një prononcim për media Shpend Ahmeti, tha se nuk do të bëjë pazare me subjektet e tjera politike për të siguruar numrat e mjaftueshëm në Kuvendin Komunal. Ai kërkon bashkëpunim me të gjithë që janë të gatshëm të çojnë programin e tij përpara. Edhe në kabinetin e tij nuk premton se do të jetë i tëri nga anëtarë të lëvizjes “Vetëvendosje”. Ahmeti premton se Prishtinën do ta bëjë model të transparencës edhe për komunat e tjera.
