![]() |
| Quka e zezë, Desivojcë |
Në kuadër të këtij projekti, do të bëhen rrallime parakomerciale, do të krijohen mundësi për rritjen e prodhimit të druve për zjarr, furnizimin e ekonomive familjare me dru dhe do të mundësohet edhe punësimi sezonal i banorëve në zonat rurale.
Zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë, tregojnë se kjo ministri, në bazë të marrëveshjes do të angazhohet për zbatimin e projektit “Kujdesi ndaj pyjeve të reja në Kosovë” dhe për të gjitha procedurat tjera që ndërlidhen me realizimin e këtij projekti.
“Për realizimin e këtij projekti, kemi marrë mbështetjen financiare të Suedisë, me të cilën kemi nënshkruar edhe një marrëveshje bashkëpunimi. Është projekt përmes të cilit synojmë përmirësimin e cilësisë dhe rritjen e vlerës së prodhimit në pyjet publike dhe ato private, uljen e papunësisë dhe zvogëlimin e prerjeve ilegale, që si dukuri vazhdojnë të jenë shqetësuese”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë, Adil Behramaj.
Po ashtu, ai tregoi se për këtë projekt, i cili ka filluar që nga 30 tetori dhe do të zgjasë deri në fund të vitit 2014, SIDA ka ndarë një shumë prej 400 mijë euro.
Ndryshe, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, për çdo veprim dhe vendim që ndërlidhet me realizimin e projektit, obligohet që do ta mbajë të informuar SIDA-n
