Rita Ora i është bashkuar kampanjës ‘Open your eyes’ (hapni sytë), për të mos i harruar fëmijët e Sirisë.
Së bashku me këngëtaren shqiptare, pjesë e këtij videoklipi janë edhe këngëtarët tjerë Tinie Tempah e Emma Bunton, por edhe aktorët Ewan McGregor, Michael Sheen e Tom Hiddleston.
Ky ‘film’ i shkurtër flet për vështirësitë nëpër të cilat hasin refugjatët, pas luftës civile në vendin e tyre.
Kjo video është pjesë e thirrjeve të UNICEF’it, me qëllim që bota t’i hap sytë gjatë periudhës festive për viktimat e pafajshme të konfliktit. Sigurisht, Rita dikur ishte edhe vetë refugjate. Për këtë, ajo e di më së miri se çka do të thotë lufta.
“Kur po e filmonim këtë kampanjë, unë fillova të mendoja për Prishtinën, për vendin tim – Kosovën. Vendi im ka përjetuar turbullira të tilla, por fatmirësisht kjo ka marrë fund. Deri tash, fëmijët nga Siria janë duke vuajtur nga dhuna e pashpjegueshme. Shpesh ata largohen nga shtëpitë e tyre me asgjë, pos veshmbathjeve. Tash, ata do të përballen me dimrin e tretë të ftohtë, të cilin duhet ta kalojnë në tenda. Jeta e tyre kërcënohet nga temperaturat e ngrira”, deklaroi 23 vjeçarja. Deri më 31 janar 2014, Qeveria Britanike do t’i mbledh të gjitha fondet publike, të siguruara nga UNICEF’i./Lajmi