Sot në mbarë botën shënohet Dita për të Drejtat e Njeriut, si një përkujtim i përvitshëm i Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, e cila u miratua në 10 dhjetor të vitit 1948 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.
Dita e të Drejtave të Njeriut paraqet çdo vit një mundësi për të festuar të drejtat e njeriut, për të nxjerrë në pah një çështje të veçantë, dhe për të advokuar për gëzimin e plotë e të gjithë të drejtave të njeriut nga ana e të gjithëve dhe kudo.
Këtë vit, vëmendja është mbi të drejtat e të gjithë njerëzve përfshirë këtu femrat, të rinjtë, minoritetet, personat me aftësi të kufizuara, personat vendës, të varfërit dhe të margjinalizuarit, për të mundësuar që zëri i tyre të dëgjohet në jetën publike dhe politike, të përfshihen në vendimmarrje.
Deklarata universale për të drejtat e njeriut, e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 1948, përbëhet nga një preambulë dhe 30 nene, që përcaktojnë një gamë të gjerë të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore për të cilën të gjithë burrat dhe gratë, kudo në botë, kanë të drejtë, pa asnjë dallim.
Deklarata u hartua nga përfaqësuesit e të gjitha regjioneve dhe traditave ligjore. Ajo me kalimin e kohës është pranuar si një kontratë midis qeverive dhe popujve. Pothuajse të gjitha shtetet e botës e kanë pranuar atë. Deklarata ka shërbyer edhe si bazë e mbrojtjes së të drejtave të njeriut që sot fokusohet gjithashtu në grupet e rrezikuara siç janë personat me aftësi të kufizuara, popujve indigjenë dhe punëtorët emigrantë. Mund të thuhet se Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, ka hyrë në rekordet Guinness si dokumenti më i përhapur dhe më i përkthyer, pasi është përkthyer në 380 gjuhë të botës./GX