Në vazhdën e shteteve që kanë njohur Republikën e Kosovës, sot u shtua edhe Tonga. Kjo është njohja e parë e shtetit të Kosovës në këtë vit. Tonga njihet si shtet sovran dhe është i përbërë nga 176 ishuj me sipërfaqe prej rreth 750 kilometra katrorë.
Disa ditë më parë, ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, paralajmëroi se gjatë janarit të vitit do ta njohin edhe tre vende të tjera.
“Unë kam informata që në janar do të ketë vendime për njohje të reja dhe unë jam i sigurt që fundi i janarit mund ta zërë Kosovën me dy deri në tri njohje të reja. Gjatë këtyre javëve të fundit kam pasur një agjendë të ngjeshur lobuese. Kam qenë në samitin e ministrave të Jashtëm të Organizatës për Bashkëpunim Islamik. Atje kam takuar mbi 18 vende që nuk e kanë njohur Kosovën. Ndërsa, në total kam takuar rreth 34 ministra të përfaqësuar në këtë samit.
Kam qenë po ashtu në samitin Francë-Afrikë ku kam takuar edhe pesë ministra tjerë. Kështu që njohje të reja do të ketë dhe njohja është një proces i cili do ta përcjell çdo herë Kosovën dhe besoj se këto lajme do të jenë lajme pozitive për çdo qytetarë të Kosovës”, është shprehur më herët Hoxhaj.
Ndërkaq, lajmin për njohjen nga Tonga e ka bërë kryeministri i vendit, Hashim Thaçi në rrjetin social Facebook, si dhe Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku.
“Sapo mora njoftimin që Pavarësinë e Republikë së Kosovës e njohu Tonga, shtet - ujdhesë në Oqeanin Paqësor. Kjo është njohja e 105 –të e shtetit të Kosovës”, ka shkruar Thaçi.
