Teksti i pa Edituar
Në datën 30 janar 2014 në Kuvend ka ardhur për lexim të parë Projektligji për Mbrojtjen nga Zhurma. Ky projekt ligj konsiston në një sërë nenesh që trajtojnë nevojën për të përcaktuar limit fizik për lartësinë dhe intensitetin maksimal të tingujve ndaj të cilëve mund të ekspozohet komuniteti. Synimi i këtij projektligji është që të përkujdeset për shëndetin e qytetarëve, e për ta shmangur ekspozimin e tyre ndaj tingujve që janë më të lartë se sa duhet – sipas përllogaritjeve të bëra nga mjekë e nga shkencëtarë. Ligje të tilla funksionojnë në vende të ndryshme të botës, në perëndim e në lindje, qofshin ato vende me fe zyrtare e në vende laike.
Me shqetësim kemi vënë re se pas votimit për kalimin e Ligjit në fjalë, në lexim të parë, në Kuvend, një pjesë e medieve janë turrur për të krijuar një konflikt inekzistent dhe për t’i fryrë një zjarri të panevojshëm. Titujt e disa medieve kanë përdorur në mënyrë abuzive togfjalësha hiperbolikë si “ndalet ezani” apo “shurdhohet ezani”. E kuptojmë dëshirën e medieve për të gjetur “skandal” në çdo hap e në çdo send, por ky nuk është rasti. Me interpretime të tilla, të cekëta, thjesht shkaktojnë pakënaqësi dhe zemërim që mund të çojnë në konfliktualizime të padëshirueshme.
Për sqarim për komunitetin, dhe në respekt të plotë për organizatat religjioze duhet të sqarojmë se:
1. Nuk do të ndalet, as nuk do të shurdhohet, as nuk do të ulet zëri i thirrjeve për lutje, i ezanit apo i këmbanave. Thjesht, me ligj do të përcaktohet një kufi maksimal i amplifikimit dhe i intensitetit të zërit. Përcaktim i maksimumit të lejueshëm të intensitetit të zërit, në mënyrë që të mos dëmtojë shëndetin e atij që ekspozohet, janë të pranuara dhe funksionojnë në vende me traditë islame, kristiane apo shekullare, dhe shembuj të tillë ka plot, afër edhe larg nesh. Këto kufizime të intensitetit të zërit (tingujve) nuk pengojnë në asnjë mënyrë ushtrimin e aktivitetit religjioz, as nuk synojnë të bëjnë një gjë të tillë.
2. Në asnjë moment në ligj thirrja për lutje, ezani, këmbana apo predikimi nuk quhet zhurmë. Mjetet akustike dhe amplifikuese konsiderohen si burim i mundshëm zhurme, dhe me zhurmë përshkruhet qartë e thjesht vetëm tejkalimi i limitit të përcaktuar me ligj.
Manipulatorëve dhe spekulantëve që qëllimisht duan të nxjerrin konflikt dhe zemërim artificial iu vëmë në dukje se të quash një ligj të tillë “ndalje të ezanit” është si të quash ligjin për limitim të shpejtësisë në rrugë “ndalje të udhëtimit me veturë”.
Projekt-ligji nuk bën të refuzohet në lexim të parë vetëm për një fjalë apo edhe një fjali. Në lexim të parë çdo projektligj votohet vetëm në parim, duke marrë parasysh synimin dhe qëllimin e ligjit. Pas votimit në lexim të parë, ligji kthehet tek komisionet parlamentare dhe ato e shqyrtojnë imtësisht nen për nen ligjin si dhe propozojnë amendamente dhe ndryshime të mundshme.
Është e qartë që Ministria përkatëse dhe ministri Gashi nuk e kanë pasur aftësinë e mbase as vullnetin që t’i shpjegojnë imtësisht qëllimet e ligjit ashtu siç janë të shkruara. Është po ashtu e paditur saktësisht nëse ky ligj i ka kaluar procedurat e rregullta të diskutimit publik të cilat janë të domosdoshme për ta siguruar mirëkuptimin e ligjit dhe qëllimeve të tij. Këtu ka shumë vend për kritikë ndaj sjelljes së Ministrit. Dhe të njëjtin gabim nuk guxon në asnjë mënyrë ta përsërisë Kuvendi, gjatë amandamentimit të ligjit. Ai duhet amendamentuar me kujdes në mënyrë që të shmanget çfarëdo tendence të keqinterpretimit të tij, shpeshherë të qëllimshëm, nga deputetë e media të caktuara.
Visar Ymeri
Kryetar i Grupit Parlamentar
