Kryetari i komunës së Kamenicës, Begzad Sinani, ka mbajtur mbledhje me drejtorët e drejtorive komunale, ushtruesit e detyrave të drejtorive, si dhe disa zyrtarë të dikastereve të ndryshme.
Rendi i ditës së kësaj mbledhje ishte:
1) Përgatitje e dokumentacionit, procedurat e blerjes së veturës zyrtare, aset i Komunës deri në heqje/ shitje.
2) Lënda, procedurat dhe Vendimi lidhur me pavarësimin e Njësisë NPK ( Higjiena) sh.a Kamenicë
3) Lënda- Vendimi lidhur me dhënien në shfrytëzim të tokës bujqësore- bahçen
4) Propozimi për themelimin e Komiteteve të Përhershme: Komiteti për Politikë e Financa dhe Komiteti për Komunitete
5) Funksionimi më efikas i DPKGJ-së
6) Njoftim lidhur me banesat për banim, sipas ligjit për programe të veçanta të banimit
7) Shqyrtimi i mundësisë për hapjen e pikës kufitare ( Svircë-Medvegjë)
8) Vendosja e simboleve shtetërore- Fotografia e presidentit sipas ligjit Nr. 03/L-132 për protokollin e shtetit
9) Zhvendosja e lëndëve djegëse ( druve) nga Lokacioni i oborrit të Komunës në Lokacion tjetër.
10 ) të ndryshme.
________________________________________________________________________________
Kryetari i komunës së Kamenicës, Begzad Sinani, tha se bashkëpunimi nuk do të mungojë as me drejtorët e drejtorive komunale, por as me shërbyesit civil, pa dallim subjekti politik. ”Ne nuk do t’i shikojmë ngjyrimet politike, këtu është institucion dhe do të punojmë të gjithë për të mirën e qytetarëve “ ka thënë kryetari Sinani.
Ndërkaq, lidhur me pikën 1 të rendit të ditës, kryetari dha disa sqarime lidhur me shitjen e xhipit,” ky komoditet i tepërt nuk do të jetë në një komunë të vogël e aq ma pak me një papunësi që arrin në 45 %, tjetra është se ky xhip krijon shpenzime të mëdha karshi buxhetit që posedon komuna e Kamenicës”,
Lidhur me pavarësimin e njësisë NPK ( Higjiena) sh.a Kamenicë, për këtë pikë foli Fisnik Kastrati, i cili ishte edhe anëtarë i komisionit ka thënë se përkundër takimeve që kanë pasur me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik , për regjistrimin e ndërmarrjes së re publike lokale, kjo deri më tani nuk ka ndodhur, po ashtu, ai njoftoj se edhe përkundër vështirësive që ekzistojnë për grumbullimin e mbeturinave, pasi që stafi nuk është i kompletuar, edhe mjetet nuk janë të mjaftueshme për mbledhjen e mbeturinave, konsiderohet se higjiena është në një nivel të kënaqshëm.
Sa i përket lëndës- Vendimi lidhur me dhënien në shfrytëzim të tokës bujqësore të ndërmarrjes “ Agroprodukt”- bahçen, mbeti që kjo lëndë të rishqyrtohet dhe të diskutohet edhe një herë, pas kompletimit të sajë nga shërbimi profesional i Kuvendit
Po ashtu, edhe propozimi për themelimin e komiteteve ,të obligueshme, si: Komiteti për Politikë e Financa dhe Komiteti për Komunitete ,ndërsa më vonë edhe atyre jo të obligueshme. Mirëpo , edhe kjo pikë e rendit të ditës në bashkëpunim me kryesuesin e Kuvendit, Bajram Dërmakun, do të shikohet mundësia për formimin e këtyre komuniteteve sa më parë.
Kurse, për njoftimin lidhur me banesat për banim, sipas ligjit për programe të veçanta të banimit, u tha që të formohet një komision prej tre anëtarësh, të verifikohen të gjitha dëmtimet në këtë banesë, të bëhet rregullimi i sistemit të kanalizimit, ujësjellësit, rregullimi i energjisë, si dhe të caktohen dy rojtarë të cilët do ta mbikëqyrin 24 orë.
