Është kërcënuar ekipi i Kohavisionit në fshatin Lajqiq . Ekipi i KTV-së kishte shkuar për të pasqyruar punën ilegale që po bënin disa kompani, në eksploatimin e zhavorrit.
Për dy prej tyre është ngritur kallëzimi penal nga Ministria e Mjedisit. Se puna tyre është ilegale, e ka konfirmuar edhe kryetari i Kamenicës, Begzat Sinani, raporton KTV.
Pavarësisht se ndaj tyre është ngritur kallëzim penal nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, disa kompani po vazhdojnë veprimtarinë e tyre në eksploatimin e zhavorrit në komunën e Kamenicës.
Përveç që nuk e kanë ndalur punën, ata kanë kërcënuar ekipin e Kohavisionit, që kishte shkuar në vendin e ngjarjes për të parë nga afër degradimin që po i bëhet lumit që kalon përgjatë këtyre fshatrave.
I biri i pronarit të kompanisë “Xhelal Trans” që vepron fshatin Lajqiq të Kamenicës, ka kërkuar që të mos filmohet fare.
Por, kërcënimet nuk janë ndalur me kaq. Pronari i kësaj kompanie i ka ndjekur dhe zënë rrugës veturën e KTV-së, e pastaj ka filluar të shajë e fyejë ekipin, duke thënë se ajo është pronë private dhe nuk mund të filmohet.
Pas kësaj, ai ka ndjekur për disa kilometra veturën e KTV-së, gjë për të cilën është njoftuar edhe policia.
Ai, ndër të tjera, ka thënë se nuk janë duke nxjerrë zhavorr, por janë duke rregulluar shtratin e lumit dhe ka thënë se janë të kontraktuar nga komuna.
Por, një gjë të tillë e ka mohuar kryetari i komunës së Kamenicës, Begzad Sinani, i cili ka thënë Komuna nuk ka kurrfarë marrëveshje me asnjë kompani për rregullimin e shtratit të lumit.
Ndërkohë, në Ministrinë e Mjedisit është ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Publike Themelore, Gjilan për dy kompani që veprojnë në këto anë.
“Para pak ditësh dy kompani që operonin po në Lajqiq, i kemi paditur penalisht dhe ky rast i sotëm do të verifikohet, marrë për bazë dhe filmimet e KTV-së dhe do të veprohet njësoj sikur në të gjitha rastet. Dua të potencoj se askush nuk do të falet nëse verifikohet shkelja e ligjit. Operatorët ilegalë duhet ta kuptojnë më se në fund të ditës i pret ballafaqimi me ligjin, sado të fuqishëm që mendojnë se janë”, ka thënë këshilltari i ministrit Dardan Gashi, Kreshnik Berisha.(koha)
Tvkamenica nuk ka autorizim per postimin e Videos.