Nga Gani Sadiku për Rajonipres
- Zgjedhjet e 8 Qershorit në Kosovë kanë sjellur vetëm disa ndryshime të vogla por me ngjarje interesante të cilat vështirë se do të përsëriten në një të ardhme të afërt. Behgjet Pacolli nuk ka arritur që ta kaloj pragun zgjedhor dhe ka ardhur Fatmir Limaj i cili me "gjysmë shpirti" kaloi pragun, dhe më pas ka nënshkruar një marrëveshje bashkëqeverisëse me LDK-në dhe AAK-në.
Mirëpo si ndodhi që në masë të konsiderueshme u komplikuan gjërat duke u shtuar inatet tek liderët e partive politike, pikërisht pas përgjegjës kontroverse që e dha Gjykata Kushtetuese, e cila e njeh grupin më të madh parlamentar PDK-në me koalicionin parazgjedhor.!!
Duke i dhënë këtë mundësi vetëm PDK-së, ajo në një far mënyre i detyroi partitë tjera që të merren vesh me PDK-në për zgjidhjen e kryeparlamentarit ose do të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme, (megjithëse në njëfarë mënyre ajo i përjashton ato) . Kjo len të kuptohet se liderët e partive të bllokut- VLAN- duhet të tregohen largpamës dhe t`i ketë disa varianta për të dalur nga kriza.
Si variant të parë të votojnë kandidatin e PDK-së( pasi gjykata kushtetuese nuk len alternativë tjetër) për kryeparlamentar.
Varianti i dytë do të ishte, rrëzimi i kryeparlamentarit të zgjedhur nga PDK-ja, nëse blloku VLAN ka 83 vota në parlament mund ta rizgjedhin edhe kryeparlamentarin nga radhët e veta.
Mirëpo marrëveshja paraprake në mes të liderëve të LAN-it për ndarjen e posteve kryesore politike, e ka vështirësuar tej mase mundësinë e kompromisit në lidhje me kryeparlamentarin, meç rast zoti Mustafa pasi ka lëshuar pozitën e kryeministrit, në asnjë rrethanë nuk do të pranonte që LDK-ja mos ta ketë postin e kryeparlamentarit që në datën 18 shtator kur është thirrur vazhdimi i seancës konstituive e Kuvendit të Kosovës.
Kryeministri është figura më e rëndësishme politike në një republikë parlamentare dhe si i tillë do duhej ti përkiste partisë më të votuar në këtë koalicion. Kompromisi për Kryeministrin në favor të AAK-së si parti e katërt në zgjedhje, sjell një “sakatllëk” të dukshëm në kuadër të këtijë koalicioni, gjë që në mënyrë të pashmangshme vështirëson pozitën e zotit Mustafa për të lëshuar pe në favor të gjetjes së një zgjidhje e cila do të mundësonte formimin e institucioneve qeverisëse.
Nga ana tjetër edhe zoti Haradinaj e ka tepër të vështirë heqjen dorë nga kjo pozitë, në favor të gjetjes së një zgjidhje, sepse ky rast vështirë se do ti përsëritet më për te. Sa i përket zotit Limaj ai nuk ka shfaqur ndonjë ambicie që të ketë pozitë e cila do t’ia pamundësonte atij ndonjë marrëveshje tjetër jashtë kësaj kornize.
Problemi më i madh na paraqitet te PDK-ja si parti e cila ka fituar zgjedhjet dhe ka dal partia apo koalicioni i parë, dhe këtë të drejtë ja ka njohur edhe Gjykata Kushtetuese,.! Problemi kryesorë është sepse pa PDK-në, apo pa një marrëveshje me te, (dhe nëse kjo parti nuk është në gjendje të lëshoj pe), do të jetë e vështirë që të arrihet formimi i institucioneve të vendit, përpos të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme.!
Një favor i mirë për bllokun VLAN. do të jetë jo funksionaliteti i Gjykatës Kushtetuese pas dorëheqjes se Gjykatësit amerikan, Robert Carolan, ku PDK-ja nuk do të ketë mundësi ta shtroj çështjen përsëri në Gjykatën Kushtetuese. Sido që të rrjedhin gjërat në këtë situatë në të cilën gjendet politika kosovare, është e domosdoshme ndërhyrja e presidentes, dhe faktorit ndërkombëtar, për t'u dhënë proceseve një rrjedhje në drejtimin e duhur..!
Futja e VV në një marrëveshje me LAN-in, jo vetëm që ka ngjallur shpresat te një pjesë e madhe e qytetarëve, sepse në mënyrë automatike e bënë Kosovën me një shumicë shqiptare në kuvend, dhe “king maker”-ët e listës “srpska” nuk do të mund më të jenë më faktorët vendimtar në formimin e qeverisë, por edhe e zbret këtë lëvizje me këmbë në tokë, për ta kuptuar më mirë se politika i ka edhe kompromiset e orëve të fundit.!.
Kosova ka rastin të tregojë në sytë e bashkësisë ndërkombëtare se ka burra shteti, përtej inateve, interesave dhe sherreve që jemi mësuar ti shohim në politikën tonë, dhe me kompromise, ta gjejnë zgjidhjen më të mirë për qytetarin e këtij vendi, e jo të bllokojë procesin e formimit të institucioneve për hir të interesave të tyre të ngushta dhe afatshkurtra.
Por siç duket elita politike Kosovare duket e paaftë të dëshmojë këtë herë një "shfaqje të hajrit” që i ofrohet jo vetëm opinionit ndërkombëtar, por mbi të gjitha vetë qytetarëve të Kosovës./rajonipress/