Moti

Shkruan: Faton Krasniqi

Fonema, tingujt Q - Ç nga shqiptarët e Kosovës dallohen me shumë vështirësi, në të shumtën e rasteve shqiptohen sikur po të jenë një tingull i vetëm, pa asnjë element dallues, pra Ç-ja shqiptohet si Q, bile-bile dhe në të shkruar Q-ja ka zënë vendin e Ç-së, pothuajse e ka asimiluar Q-ja tingullin Ç.

Fonetika është një nga degët e rëndësishme të gjuhësisë e cila studion sistemin e tingujve të një gjuhe, ndryshimet që pësojnë këto pozicione të caktuara, si dhe ligjet e këtyre ndryshimeve
Tingulli Q i shqipes është mesgjuhore, okluzive e shurdhët, artikulohet duke ngritur pjesën e mesme të shpinës së gjuhës, në pjesën e përparme të qiellzës së fortë. Kurse tingulli Ç është një bashkëtingëllore palato-alveolare, gjuhore e zëshme. Dallimet fonetike-fonologjike mes këtyre dy tingujve janë evidente.

Fonemat Q - Ç edhe në të shkruar tek shqiptarët e Kosovës paraqet një problem gjuhësor-drejtshkrimor në vete, pasi Q-ja në çdo aspekt ia ka zënë vendin pa meritë fonemës Ç, duke filluar në: Tv-të tona-në titrat  e tyre, në portalet informative, në rrjetet dhe blogjet sociale, në ftesat, kërkesat, shkresat zyrtare komunale-qeveritare, Ç-ja është zëvendësuar më Q-në. Në gazetat ditore kosovare ky problem ka një trajtim më serioz, pasi lektorët arrijnë të dallojnë Q-në dhe Ç-në. Mirëpo fonemat-tingujt Q dhe Ç shpeshherë i zëvendëson një fonemë-tingull tjetër, pra fonema-tingulli Gj, si në këto raste: Në vend se të shkruajnë gjyqi, e shkruajnë gjygji, ose në vend së të shkruajnë çdokush e shkruajnë gjdokush, ka raste të shumta ku fonema Gj zëvendëson të dyja fonemat Q-në  dhe Ç-në.
Në shkollat fillore do të duhej që mësuesit t`ua sqarojnë, t`ua mësojnë me shumë seriozitet rregullat ortoepike (drejtshqiptuese) dhe ortogarfike (drejtshkrimore) nxënësve të tyre, pasi Q-ja dhe Ç-ja janë fonema me tipare dalluese mes veti.

Në rrjetet dhe blogjet sociale janë të rrallë (përpos gjuhëtarëve) ata shqiptarë të Kosovës që i shkruajnë drejt fonemat Q dhe Ç.  Në vend se të shkruajnë drejt, p.sh: çka, ç’kemi, ç`bëhet, çdo, ç`janë, ç`u bë, ç`u tha; ata shkruajnë me gabime: Qka, qkemi, qpo bahet, qdo, qka janë, qu ba, qu tha.
Një gabim tjetër ku nuk dallohen fare mes vete fonemat Q-Ç është se federatat sportive të Kosovës, përfaqësuesve tanë sportivë ua shkruajnë me gabime mbiemrat në fanellat e tyre, në vend se t`ua shkruajnë drejt si: Kuçi, Xhaçku, Greiçevci, Mavriçi, Çota, Çeku, Çirezi, Çollaku, Thaçi, Muçolli, Muçaj, Hoça, Çetta; ata ua shkruajnë kështu: Kuqi, Xhaqku, Greiqevci, Mavriqi, Qota, Qeku, Qirezi, Qollaku, Thaqi,  Muqolli, Muqa, Qeta.

Shembuj të tjerë me gabime të tjera ku Q-ja zëvendëson pafundësisht në shkrimet tona Ç-në; në vend se të shkruajmë kështu: vjeç, viç, veçse, çohu, Deçani, çakmak, vjeçar, çantë, çadër, çadrandreqës, çafkë, çorape, veç e veç; ne shkruajmë kështu, pra me gabime drejtshkrimore: vjeq, viq, veqse, qohu, Deqani, qakmak, vjeqar, qantë, qadrandreqës, qafkë, qorape, veq e veq.

Këto gabime fonematike-tingullore mes fonemave-tingujve Q-Ç nuk bëhen nga shqiptarët e Shqipërisë dhe ata të Luginës së Preshevës, ata i dallojnë pa asnjë problem fonemat-tingujt Q-Ç. Kurse ne në Kosovë,  aty-këtu në Veriun  e Shqipërisë, tek shqiptarët e Maqedonisë, shqiptarët e Malit të Zi, dhe në mbarë Diasporat shqiptare ky problem është evident
Fonema-tingulli Ç në Kosovë është një “tepricë teknologjike”.
 
Top