Kryetari Sinani: Komisioni Evropian duhet të investojë në trajtimin e ujërave të zeza
Begzad Sinani aktualisht është kryetar i Bordit të Agjencionit për zhvillim rajonal lindje (AZHRL). i tha rajonipres se nga ky organizëm që financohet nga Komisioni Evropian premtimet kanë qenë të mëdha, por fare pak është investuar në Anamoravë.
Begzad Sinani është treguar kritik dhe pesimist rreth funksionimit të Agjencionit për Zhvillim Rajonal Lindje që selinë e ka në Gjilan.
Sinani aktualisht është kryetar i bordit në këtë institucion që financohet nga Komisioni Evropian, por është pesimist pasiqë pak investime janë derdhur në Anamoravë, raporton rajonipress.
“Kam pritur më shumë nga AZHRL-ja sepse ne si komuna të Anamoravës kemi ofruar projekte konkrete, megjithatë nuk janë përmbushur premtimet tona. Të gjitha komunat e Anamoravës kanë dërguar projekte konkrete në infrastrukturë, trajtimin e ujërave të zeza dhe rregullimin dhe mbrojtjen e ambientit”.
Por për Sinanin më urgjente mbetet trajtimi i ujërave të zeza i cili është tepër i kushtueshëm. “Komisioni Evropian duhet që urgjentisht ta trajtojë problematikën e ujërave të zeza sepse është tepër e kushtueshme dhe komunat nuk munden vet që të bëjnë investime në këtë fushë. Vetëm në dy fshatra të Kamenicës , Hogosht dhe Koretin trajtimi i ujërave të zeza kushton mbi 4 milion euro” tha Sinani.