Me urdhër të prokurorisë, Policia e Kosovës, kohët e fundit ka nisur hetimet për disa mjekë me dyshimet se po përshkruajnë barna të kompanive të caktuara, duke pranuar kështu favore nga këto kompani për përshkrimin që e bëjnë.
Këtë e ka konfirmuar edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Imer Beka, i cili me telefon i ka thënë KTV-së se kanë nisur hetimet për këto raste. Por Beka nuk ka mundur të konfirmonte se deri ku kanë shkuar hetimet për këtë rast, raporton Koha.net.
Ndonëse prokuroria tashmë ka nisur hetimet për këto dyshime, mjekët vazhdojnë të përshkruajnë barna me emra të kompanive të caktuara.
KTV-ja ka qëndruar disa minuta para njërës nga shtëpitë e shëndetit në kryeqytet dhe ka siguruar së paku një recetë të përshkruar nga një mjek. Në të mjeku përshkuan barin e një kompanie turke, me emrin “Spazmotek”, derisa emri gjenerik i këtij ilaçi është “Trospium clorid”.
E këto dyshime që moti i kishte edhe Inspektorati i Shëndetësisë, i cili thotë se është pothuajse e pamundur të vërtetohen denoncimet. Kryeinspektorja Ardita Baraku, ka deklaruar se Inspektorati... është kontaktuar nga policia, lidhur me këto dyshime.
Baraku sqaron se kur është e ndaluar dhe kur e lejuar që mjekët të përshkruajnë ilaçin e një kompanie të caktuar, transmeton Koha.net.
E ish-inspektorja e Inspektoratit Shëndetësor, Time Kadriaj, thotë se edhe në kohën kur ajo ishte inspektore kishte dyshime se kompani të caktuara të barnave paguanin mjekë për të përshkruar barnat e tyre. /koha.net/