Moti

Nexhat Buzuku ka reaguar ndaj komunikatës së degës së PDK-së që flet për zgjedhjet e drejtorëve dhe të zëvendësve të saj në shkollat e Gjilanit. Buzuku ka thënë se më vjen keq që Grupin e këshilltarëve të PDK-së i paska penguar zgjedhja ime zv.drejtor në Gjimnazin Shoqëror "Zenel Hajdini".

A duhet me ju pyet se ku e çka dhe në çfarë pozite duhet të punoj unë? A ka mundësi të më tregoni se cili njeri nuk duhet të bëhet diçka që vërtet e meriton? A ka njerëz të lindur për drejtor dhe që tjetri nuk e meriton, sepse nuk është i lindur? Pse zotërinj këshilltarë të PDK-së në KK ju pengon zgjedhja ime, kur e meritoj në mënyrën më legjitime me përgatitjen time perfekte profesionale e dëshmuar në studime në Fakultet dhe në magjistraturë, me notat më të larta gjatë studimeve ka shkruar Buzuku.

Buzuku ka thënë se puna ime e shkëlqyeshme në arsim është dëshmuar nga klasat që kam drejtuar, në lëndët që kam mbajtur, i respektuar maksimalisht nga nxënësit dhe prindërit. Pse ju pengon kjo? Pranojeni, kjo është zgjedhja më e mirë që ka bërë pushteti aktual. Unë kam konkurruar për drejtor të Gjimnazit edhe në kohën e pushtetit të PDK-së, por nuk qe mbajtur intervistë apo qe anuluar intervista dhe pastaj qe zgjedhur Z.Z. e pastaj pati plasur ai skandali i njohur.

Ju thuani se Nexhat Buzuku është zgjedhur zv.drejtor i Gjimnazit Shoqëror "Zenel Hajdini" duke përgatitur terrenin me opinione publike pozitive për qeverisjen e Lutfi Hazirit. Natyrisht, është e drejtë imja personale, legale dhe e hapur të bëjë opinione e komente. Të nderuar, opinioni është qëndrim individual, këndvështrim personal dhe e drejtë legjitime dhe këtë nuk mund ta vëni as ju dhe askush në pikëpyetje. A mund të më përgjigjeni vetëm në një pyetje: Sa opinione pozitive kam bërë për PDK-në dhe sa për LDK-në? Ju lutem këtu dua përgjigjen.

Çfarë ju pengon tani?! Mendoni se Gjilani është një topth pingpongu që mund ta lëvizni ju kah dëshironi! Asnjë pushtet nuk është pa gabime. Ju mendoni se ishit lule dhe pranverë. Edhe pushteti aktual ka gabime, por nuk është krejt katran siç e servoni apo konstruktoni ju të nderuar këshilltarë të PDK-së.

Sepse, në arsim ka rezultate, ka suksese. Ju duke mohuar rezultatet në arsim po mohoni punën përkushtuese të qindra mësimdhënësve, të mijëra nxënësve të mrekullueshëm, edukata e të cilëve u manifestua edhe gjatë ekskursionit në Shqipëri. Pse po ju pengojnë pasqyrimet e fundit për ekskursionin shembullor të maturantëve të Gjimnazit Shoqëror "Zenel Hajdini" në Shqipëri.

Unë do vazhdoj me pasqyrime gazetareske, opinione e komente, në portale, e së shpejti edhe një gazetë të njohur ditore.

Nëse dëshironi betejë mediatike unë jam i gatshëm 10 vjet të jap përgjigje, sepse nga afër e kam përcjellur dhe e njoh strukturën e të gjitha partive politike dhe njerëzve të tyre, por edhe kam qindra pyetje e pikëpyetje për të bërë.

Unë kurrë nuk kam pasur librezë partiake as të PDK-së, as të LDK-së, nëse emri im gjendet në ndonjë parti, qoftë si anëtar i thjeshtë, i lus partitë ta bëjnë publike. Mirëpo, nuk pajtohem kurrë me mënyrën e qasjes suaj agresive, denigruese dhe konstruksioneve e dekonstruksioneve që po bëni.

Nuk ua jap të drejtën që të lakoni emrin tim. Dhe ju paralajmëroj që të jeni shumë të kujdesshëm. Po përsëris, jam i fuqishëm pakrahasimisht për t'u përballur me ju, këshilltarë të PDK-së. Ju lus të mos më bezdisni asnjëherë, dhe më lërini të merrem me punët e mia, ju bëni tuajat.

Unë, sinqerisht, falënderoj DKA-në dhe kryetarin e Komunës, Lutfi Haziri, për besimin e dhënë, duke besuar se ky vendim i tyre është bazuar në performancën time, në angazhimin tim përkushtues dhe aftësitë profesionale në mësimdhënie.

Me këtë rast falënderoj të gjithë kolegët e punës në Gjimnaz dhe në Shkollën e Mesme të Mjekësisë "Dr. Asllan Elezi", dhe shumë të tjerë për urimet që më bënë, duke e konsideruar meritore zgjedhjen time në dobi të mbarëvajtjes së procesit mësimor në Gjimnaz. (Më gjerësisht ditët në vijim) ka shkruar Buzuku./rajonipress/
 
Top