Moti

Kryetari i Kamenicës Begzad Sinani, ka mbajtur takim me kryetarët e këshillave lokale, ku prezentë ishin edhe nënkryetari Fatmir Matoshi, drejtoritë përgjegjëse dhe komisioni komunal lidhur me gjendjen e rrugëve në këtë sezon dimërore.

Kryetari Sinani ka thënë se përkushtim I komunës dhe prioritet I veçantë janë rrugët e viseve malore ku reshjet e borës janë më të mëdha.”Nuk dua që asnjë shtëpi kudo që të jetë në territorin e Kamenicës të mbetet e bllokuar, andaj kërkoj bashkëpunimin e kryetarëve të këshillave lokale për të tejkaluar këtë situatë” ka thënë kryetari Sinani.

Duke folur për vështirësitë që janë në qarkullim për shkak të kushteve klimatike, kryetari Sinani theksoi se është  normale që këto ditë të jenë më të vështira për vozitësit dhe të gjithë të jemi të vëmendshëm që në rastet kur mundemi tu shmangemi rrugëve të cilat janë më të rrezikshme dhe të lëvizim në rrugë alternative.”

Të gjitha rrugët kanë rëndësinë e vet, por prioritet do të kenë rrugët e fshatrave të malësisë që të mos mbeten të bllokuara, dhe për këtë arsye ndjehuni të lirë si kryetar të fshatrave të më kontaktoni 24 orë gjatë ditës qoftë mua personalisht, drejtoritë përgjegjëse apo edhe vet kompaninë e kontraktuar për mirëmbajtjen e rrugëve” tha kryetari Sinani.

Përfaqësuesit e këshillave lokale kanë shprehur mirënjohjen dhe falënderimin ndaj komunës për angazhimin e deritanishëm. Haqif Agaj, kryetar i këshillit lokal të Hogoshit duke e falënderuar kryetarin Sinani për angazhimin ka thënë se rrugët në atë pjesë janë të kalueshme dhe janë pastruar nga bora, gjithashtu ai ka njoftuar se edhe rrugët për Dazhnicë, Shahiq dhe fshatrat e tjera që përfshihen në këtë këshill lokal janë të kalueshme.

Fadil Kastrati, kryetar i këshillit lokal të Karaqevës së epërme ka thënë se rrugët lokale janë pastruar por ka nevojë që në to të hidhet kryp dhe zhavorr për shkak të ngricave nëpër disa vende.

Kastrati ka falënderuar komunën edhe për hapjen e rrugës për tek lagja Selishta. Kryetari I këshillit lokal të Koretinit Sejdi Kurteshi ka thënë se rrugët në Koretin janë të hapura, ndërsa ka kërkuar që edhe rruga për në lagjen Dubova të hapet pavarësisht faktit nëse është kompetencë e komunës së Kamenicës apo Ranillukut.

Asllan Dërmaku, kryetar i këshillit lokal të Shipashnicës së poshtme ka thënë se rrugët në Shipashnicë janë në gjendje të mirë dhe janë mirëmbajtur, gjithashtu ka shprehur  mirënjohje edhe për rrugën për në Krenidell ku tha se është intervenuar katër herë deri te shkolla e fshatit.
Astrit Demolli, nga këshilli lokal në Strezoc ka thënë se edhe rruga për Leshtar është hapur dje, ndërsa rrugët e tjera janë të pastruara.

Falënderime për angazhimin e komunës kanë dhënë edhe kryetarët e këshillave lokale të Topanicës, Tygjecit, Poliqkës, Desivojcës, Kopërnicës , Shipashnicës së epërme etj. Kryetarët e këshillave lokale të vendeve më të ulëta kërkuan që në rrugë të hidhet më shumë kripë dhe zhavorr.

Kryetari Sinani tha se i ka dëgjuar me vëmendje të gjithë kryetarët e këshillave lokale dhe se të gjitha kërkesat e tyre sa i përket kësaj çështje do të jenë të realizueshme.

 
Top